Connect with us

Maqedoni

Shpenzimet për prokurime publike në sektorin e shëndetësisë në RMV në 10 vite janë rritur nga 126 milionë në mbi 315 milionë euro

Publikuar

Qendra për Komunikime Qytetare ka publikuar hulumtim mbi prokurimin publik në sektorin e shëndetësisë në periudhën nga viti 2015 deri në vitin 2024. Hulumtimi “Shëndeti publik shpenzon gjithnjë e më shumë, ndërsa ofron më pak” tregoi ndër të tjera se shpenzimet për prokurime publike në sektorin e shëndetësisë janë rritur dy herë e gjysmë në 10 vitet e fundit, nga 126 milionë euro në vitin 2015 në mbi 315 milionë euro në vitin 2024. Kjo rritje po ndodh në një kontekst ku qytetarët vazhdimisht shprehin pakënaqësi për cilësinë dhe disponueshmërinë e shërbimeve shëndetësore. Diskrepanca evidente midis shpenzimeve si dhe sasisë dhe cilësisë së shërbimeve e forcon përshtypjen se prokurimet publike nuk janë pasqyrim real i nevojave dhe interesave të qytetarëve dhe në mënyrë plotësuese i ushqen mosbesimin dhe dyshimet për korrupsion, thuhet në raport.

Në hulumtim më tej thuhet se ekziston një hendek midis vlerës së rritur të prokurimit publik dhe rënies së shërbimeve të ofruara në institucionet publike shëndetësore, gjë që ngre dyshime serioze se prokurimi publik po përdoret si kanal për nxjerrjen financiare të fondeve, në vend që të jetë një instrument për përmirësimin e kujdesit shëndetësor.

“Inflacioni në periudhën 2021-2024 ndikoi mbi çmimet e pajisjeve, shërbimeve dhe punimeve ndërtimore. Megjithatë, efektet mbi çmimet e ilaçeve ishin të kufizuara për shkakun se çmimet e tyre janë paraprakisht të përcaktuara nga institucionet kompetente. Duke e pasur parasysh se 89% të kontratave për prokurime publike në sferën e shëndetësisë kanë të bëjnë me prokurimin e ilaçeve, materialit mjekësor të harxhueshme dhe mallrave tjera, mund të konstatohet që inflacioni ka pasur ndikim të kufizuar mbi rritjen shumë të madhe”, thuhet në raport.

Përpos tjerash, hulumtimi zbuloi se:

  • Rritja më e madhe e prokurimeve publike është detektuar te klinikat dhe spitalet. Te këto subjekte, në periudhë prej dhjetë vitesh është trefishuar vlera e tenderëve. Mirëpo, në vend që të shtohen shërbimet dhe të përmirësohet kujdesi, qytetarët përballen me një realitet tjetër – tenderët po rriten, ndërkaq puna e spitaleve dhe klinikave po zvogëlohet. Në periudhën 2015 – 2024, numri i ekzaminimeve në gjithsej 55 klinika dhe spitale është reduktuar për 14%, kurse numri i ditëve në spital për 24%. Ky boshllëk hap dyshime serioze se prokurimet publike po përdoren si një kanal për nxjerrje financiare të fondeve, në vend që të përdoren si një instrument për përmirësimin e mbrojtjes shëndetësore.
  • Shpenzimet në rritje për prokurimet publike nuk mund të arsyetohen as me ekzaminimet specialistike. Në tre vitet e fundit, në numrin e ekzaminimeve specialistike është regjistruar një rënie prej 700,000, përkatësisht 19%. Reduktimi i numrit të shërbimeve shëndetësore në gjinekologji dhe obstetrikë, si dhe në mjekësinë transfuzive është më tepër se 60%.
  • Duke e pasur parasysh se ende nuk është themeluar Sistemi Nacional për Punën Materiale në Institucionet Publike Shëndetësore, si një detyrim ligjor i paraparë që nga viti 2015, dallimet e mëdha në vlerat e tenderëve kundrejt shërbimeve që ofrohen sugjerojnë në rrezik të lartë për keqpërdorime, përkatësisht se ilaçet dhe reagensët nuk janë përdorur për pacientët në institucionet publike shëndetësore.
  • Deri 78% të kontratave për prokurime publike lidhen nga institucionet publike të mbrojtjes shëndetësore në Shkup. Ky përqendrim i prokurimeve në kryeqytet është pjesërisht i kuptueshëm për shkak të madhësisë së institucioneve, por në të njëjtën kohë e imponon nevojën për analiza shtesë mbi arsyeshmërinë, si dhe për mbikëqyrje të zmadhuar mbi konsumatorët më të mëdhenj, me qëllim të parandalimit të korrupsionit dhe keqpërdorimeve.
  • Rritja e madhe e vlerave të prokurimeve publike në sektorin shëndetësor shoqërohet me një numër gjithnjë më të vogël të ofertuesve në tenderët. Pothuajse gjysma e vlerës janë në kontratat që lidhen në procedurat e tenderimit në të cilat ka pasur vetëm një ofertues. Në bazë vjetore, këto janë kontrata me vlerë prej 150 milionë euro. Mungesa e konkurrencës ka potencialin për ta përqendruar pasurinë dhe ndikimin midis një grupi të vogël lojtarësh dominues dhe të çojë në rritje të çmimeve, ulje të cilësisë së shërbimeve shëndetësore dhe reduktim të shumëllojshmërisë së ilaçeve.
  • Tenderët për prokurimin e reagensëve dhe testeve janë kryesisht vetëm një formalitet sepse ato zhvillohen për ndonjë pajisje tashmë të përzgjedhur, që donë të thotë se edhe para se të fillojë procedura, është e qartë se kush do ta fitojë tenderin. Aparatet janë paraprakisht të fituara si donacione, janë marrë për përdorim nga kompanitë që shesin reagensë ose janë blerë. Prokurimet për reagensë dhe teste në nivel vjetor arrijnë vlerën deri 29 milionë euro dhe gjatë periudhës së analizuar ato kanë shënuar rritje për 8%.
  • Tenderët dyvjeçarë për prokurimet për insulinë, glukagon, gjilpëra për insulinë dhe shirita për matjen e sheqerit, pompa të insulinës dhe sensorë matës të glicemisë me vlerë deri në 39 milionë euro zbatohen në procedura në të cilat nuk ka konkurrencë, ndërsa përveç kësaj kontratat e lidhura aneksohen. Gjatë një periudhe prej 10 vitesh, numri i pacientëve në terapi me insulinë është rritur me 2%, kurse vlera e kontratave për 77%. Programet për prokurim të insulinës po zvogëlohen vit pas viti, ndërkaq raportet mbi realizimin e programeve nuk publikohen rregullisht dhe mungon llogaridhënia publike për shpenzimet që bëhen.
  • Tenderët për vaksinimin e popullsisë po bëhen gjithnjë e më të shtrenjtë, ndërsa prokurimet e zbatuara në disa vite të caktuara janë të karakterizuara me dobësi – nga faza e planifikimit deri te dështimi për të lidhur kontrata.
  • Në dekadën e fundit, shpenzimet për ilaçet për sëmundje të rralla kanë shënuar rritje 90 milionë denarë në 1 miliard denarë (ose nga 1.5 në 19 milionë euro). Kjo rritje e madhe po ndodh në një kohë kur Enti Shtetëror për Revizion sugjeron që Ministria e Shëndetësisë nuk ka të dhëna të plota nëse terapitë vërtet e përmirësojnë shëndetin e pacientëve. Arsyeja për këtë është se për shumicën e sëmundjeve për të cilat prokurohen ilaçe, nuk bëhet evaluimi siç është paraparë me Programin për trajtimin e sëmundjeve të rralla.
  • Një nga faktorët e korrupsionit është mungesa e personelit mjaftueshëm të kualifikuar për t’i zbatuar prokurimet. Hulumtimi nxjerr në pah se nga 110 institucione shëndetësore, 23 prej tyre nuk kanë asnjë person, i cili e ka dhënë provimin për prokurime publike, gjë që është në kundërshtim me Ligjin për Prokurimet Publike.
  • Pa mekanizma efikas për mbikëqyrje dhe monitorim, ekziston rreziku që të shpenzohen shuma të mëdha parash publike pa u realizuar përmirësime përkatëse.

Hulumtimin e plotë mund ta gjeni në këtë LINK.

Hulumtimi u krye në kuadër të projektit “Parandalimi i Korrupsionit në Prokurimin Publik në Kujdesin Shëndetësor”, i zbatuar nga Qendra për Komunikime Qytetare me mbështetje financiare nga Fondi Kombëtar për Demokraci (NED).

Kujtojmë se hulumtimi i fundit i kësaj qendre, tregoi se transparenca mesatare aktive e ministrive, Qeverisë dhe komunave për vitin 2025 është 80% (nga një maksimum i mundshëm prej 100%), e njëjtë me vitin e kaluar. Transparenca aktive e ministrive dhe Qeverisë ka rënë krahasuar me vitin e kaluar dhe është 84% (vitin e kaluar 86%). Komunat kanë ruajtur të njëjtin nivel të transparencës aktive si vitin e kaluar, pra 79%. Plot 44% e institucioneve të mbuluara e kanë përkeqësuar transparencën e tyre aktive (vitin e kaluar 19% e institucioneve ishin përkeqësuar).

Lajme23 minutes ago

Gruda: Aktgjykimi i Kushtetueses e shkatërroi planin e LVV-së për të shkuar në zgjedhje në dhjetor

Shqipëri2 hours ago

“Detajet e dosjes së Vlora Hysenit, SPAK po bën një gjyq publik”- Rexhaj: Po tentohet të bindet publiku për fajësinë e protagonistëve

Lajme3 hours ago

Kurti takon Mickoskin në New York: Diskutuam për tunelin Prizren-Tetovë dhe sigurinë energjetike

Maqedoni4 hours ago

Ajdini: Beteja për ish-krerët e UÇK-së duhet të jetë juridike, jo folklorike

Shqipëri5 hours ago

Ish-producenti hollivudian Harvey Weinstein dënohet me 15 vite burg për sulmin seksual ndaj asistentes në 2006-ën!

Lajme6 hours ago

Gashi: Kontratën me Zotin, 100% me vdekë për liri – le ta gëzojë kush të dojë, por mos ta shajnë ushtarin që ishte aty

Maqedoni6 hours ago

Policët fjetën në arë për disa ditë, zbuluan plantacionin e kanabisit

Shqipëri7 hours ago

Ish-prokurori Beci ngre dyshimet pas aksionit të SPAK: A po përdoren dosjet për përplasjen e klaneve brenda ekzekutivit?

Lajme7 hours ago

Kush është Altin Dumani, dibrani sy patrembur që u ka futur ethet politikanëve: i vetmi prokuror që çoi në burg zyrtarë të lartë

Kosovë7 hours ago

Haxhiu: Kuvendi në seancën e parë të ndryshoj ligjit për Gjykatën Speciale dhe të rris mbështetjen financiare për 4-shen e UÇK-së

Lajme8 hours ago

Jakup Huseini: Tenova tashmë e dha fjalën, në Bërvenicë ndryshimi po vjen

Maqedoni8 hours ago

Alarm në Llopat të Kumanovës: Nxënësit mësojnë nën kulm kancerogjen!

NA NDIQ NË FACEBOOK