Lajme
Polemikë mbi gjendjen financiare në Komunën e Haraçinës

Në Komunën e Haraçinës ka shpërthyer një debat publik mes ish-kryetarit Ridvan Ibraimi dhe kryetarit aktual Daut Beqiri, pas publikimit të të dhënave mbi borxhin dhe gjendjen e përgjithshme financiare të komunës, raporton Zyrtare.net
Në reagimin e tij publik, ish-kryetari Ridvan Ibraimi theksoi se gjatë mandatit të tij buxheti komunal është rritur në mënyrë të konsiderueshme. Sipas tij, nga vetëm 92.6 milionë denarë në vitin 2021, buxheti për vitin 2025 ka arritur në mbi 389 milionë denarë, rritje që ai e lidh me “profesionalizëm, kapacitet dhe menaxhim efikas”.
Ai thekson se borxhi i komunës nuk është krijuar nga administrata e tij, por “rreth 90% është borxh i trashëguar”, ndërsa pjesa tjetër i përket ndërmarrjeve komunale dhe shkollave për të cilat, sipas tij, ekziston buxhet i dedikuar që do t’i zerojë detyrimet deri në mars të vitit 2026.
Ibraimi deklaroi gjithashtu se administrata e kaluar ka lënë “15 projekte të gatshme”, shumica prej të cilave janë në proces realizimi. Ai kërkoi nga kryetari aktual që “të jetë korrekt në njoftimet publike” dhe shtoi se është i gatshëm të ofrojë sqarime kurdo që nevojitet.
“Ne nuk kemi frikë nga transparenca, sepse ne e sollëm atë dhe e vendosëm si standard”, shkroi ai ndër të tjera.
Kryetari aktual, Daut Beqiri, reagoi duke theksuar se administrata e tij flet “vetëm me fakte dhe dokumente zyrtare”. Ai publikoi ndarjen e detajuar të borxhit total prej 116,449,774 denarësh, të cilin e cilësoi si juridikisht përgjegjësi e komunës, pavarësisht se pjesë e tij është krijuar nga shkollat apo ndërmarrjet publike.
Lista e publikuar nga Beqiri përfshin:
Komuna e Haraçinës – 92,346,419 denarë
Sh.F. “Gjergj Kastrioti Skënderbeu” – 6,660,324 denarë
Sh.F. “Abdyl Frashëri” – 6,206,169 denarë
Sh.F. “Bajram Shabani” – 5,434,831 denarë
NPK Ambienti – 5,802,031 denarë
Beqiri ngriti shqetësime edhe për “materialet ndërtimore (bekatonkat)” që, sipas tij, janë shpërndarë një javë para zgjedhjeve dhe janë faturuar pas datës së votimit, duke pretenduar se pagesa e tyre gjatë fushatës do të ishte në kundërshtim me ligjin.
Kryetari njoftoi se të gjitha faturat dhe kontratat do t’i nënshtrohen revizionit të plotë, dhe rezultatet do të publikohen për opinionin, duke theksuar se “askush nuk do të jetë mbi ligjin”.
















