Connect with us

Religjion

Përdore ose do ta humbasësh

Publikuar

Falënderimi i takon Allahut, Zotit të të gjitha botëve. Le të dërgojmë salavate dhe selam mbi të Dërguarin e fundit të Allahut dhe të dashurin e Tij, Muhamedin (savs), mbi shokët e tij, familjen e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.

Vëllezër të dashur, e këshilloj veten time dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në të dërguarit e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Allahut.

Thuhet se një dijetar çdo mëngjes, para se ta hapte Kuranin për lexim, ecte në fushë dhe me zë të lartë i thoshte vetes: “Nëse sot nuk e lëviz trupin tim, si mund të pres që zemra ime të lëvizë?” Një ditë, derisa njerëzit e vështronin me habi, ai u tha atyre: “Njeriu që nuk e përdor fuqinë që Allahu ia ka dhënë, ai ngadalë i mbyll dyert e përparimit të tij. Trupi pa lëvizje vdes, ashtu sikur që vdes edhe mendja pa reflektim.”

Për këtë arsye, Allahu i Dërguari i Allahut (alejhis selam), ka thënë: “Me të vërtetë, edhe trupi yt ka të drejta tek ti.” Pejgamberi (a.s.) e donte lëvizjen, garimin dhe freskinë e jetës. Ai garonte me Aishën (r.a.) dhe qeshte kur humbiste, duke treguar se gëzimi është në përpjekje, dhe jo në fitore. Shokët e tij vazhduan ta kultivojnë këtë frymë. Hazreti Omeri (r.a.) këshillonte: “Mësonju fëmijëve tuaj notin, gjuajtjen dhe kalërimin.”

Këto shembuj tregojnë se forca dhe lëvizja, aktiviteti fizik, sporti, rekreacioni, nuk janë në kundërshtim me fenë, përkundrazi, janë shenja të saj. Feja nuk e pëlqen dembelizmin dhe pasivizmin, sepse ai që e lë trupin pas dore, shpejt e lë edhe shpirtin pas dore.

Shkenca bashkëkohore e konfirmon atë që Pejgamberi (a.s.) na mësoi shekuj më parë: aktiviteti fizik e forcon kujtesën, e ul stresin dhe e mbron zemrën; ndërsa leximi i rregullt, reflektimi dhe mësimi e mbajnë mendjen të zgjuar dhe të gjallë.

Një proverb anglez thotë: “Përdore ose do ta humbasësh.” Nëse nuk e përdor trupin, ai dobësohet; nëse nuk e përdor mendjen, ajo mpikset; nëse nuk e përdor besimin, ai venitet.

Prandaj, kur besimtari falet, ai praktikisht e stërvit edhe trupin edhe shpirtin. Çdo tekbir, çdo ruku’ dhe çdo sexhde janë lëvizje që e forcojnë trupin, por edhe e hapin shpirtin. Ky është një ritëm ku trupi dhe zemra së bashku e përmendin Allahun. Kur ecim deri te xhamia, për çdo hap shkruhet nga një sevap dhe fshihet nga një gjynah. Për këtë arsye, vëllezër, le ta shfrytëzojmë kohën tonë të lirë dhe të vijmë për namaz në xhami. Kur shkojmë në punë, në shkollë, të nesërmen mëngjes, le të ndalojmë së pari te xhamia. Ky është fillimi më i mirë i ditës. Sepse, siç e shohim, përfitimi nuk është vetëm për botën tjetër, por edhe për këtë botë.

Ashtu sikur që trupi ka nevojë për lëvizje, po ashtu edhe mendja ka nevojë për ushtrim. Ushtrimi më fisnik i mendjes është reflektimi dhe leximi i Kuranit. Çdo herë kur përpiqemi ta shqiptojmë një harf (shkronjë), kur përpiqemi ta kuptojmë domethënien, truri dhe zemra jonë punojnë së bashku. Por, pavarësisht gjithë këtij përfitimi, shumë prej nesh as nuk kanë provuar që ta mësojnë leximin e Kuranit duke u justifikuar se nuk mund ta bëjnë. Ka edhe të atillë që dorëzohen sapo hasin në vështirësi, duke menduar se nuk kanë aftësi. Harrojmë se fuqia dhe suksesi nuk lindin nga përpjekja e parë, por nga përsëritja.

Në dhomën e zhveshjes së njërit prej ekipeve më të suksesshme të NBA-së, San Antonio Spurs, qëndron një citat i reformatorit shoqëror Jacob Riis: “Kur asgjë nuk ndihmon, shkoj dhe e shikoj gurtëthyesin që godet në gur ndoshta njëqind herë, pa parë asnjë çarje. Megjithatë, në goditjen e njëqindtë, guri ndahet, jo sepse ajo goditje ishte më e fortë, por sepse të gjitha goditjet e mëparshme ia kishin përgatitur rrugën.”

Ashtu është edhe me ne. Njerëzit shohin vetëm momentin kur guri thyhet, shohin suksesin, rezultatin, ndryshimin, por nuk i shohin qindra përpjekje që kanë paraprirë. Allahu, megjithatë, sheh çdo goditje tonën, çdo durim, çdo hap drejt së mirës.

Prandaj, le të mos dorëzohemi, edhe kur na duket se nuk ka përparim. Nëse na është e vështirë në fillim të ngrihemi për sabah, le ta detyrojmë veten, të ngrihemi dhe të këmbëngulim. Nëse na është e vështirë ta mësojmë leximin e Kuranit, le ta detyrojmë veten, të fillojmë dhe të këmbëngulim. Nëse na është e vështirë ta lëmë mëkatin, le ta lëmë me vështirësi dhe le të këmbëngulim. Atëherë, do të shohim se kjo vështirësi, me ndihmën e këmbënguljes, do të shndërrohet në diçka të bukur pa të cilën nuk mund ta imagjinojmë jetën tonë. Çdo këmbëngulje, çdo luftë, sigurisht lë gjurmë. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Këmbëngulni, të lumit ju, nëse këmbëngulni!”

Vëllezër, shprehitë tona janë pasqyra e shpirtit dhe trupit tonë. Pesha jonë trupore tregon shprehitë tona ushqimore. Dija jonë tregon sa mësojmë dhe lexojmë. Rregullimi ose rrëmujat tona tregojnë kujdesin për pastërtinë dhe për rregullsinë. Gjuha dhe veprat tona e tregojnë gjendjen e shpirtit dhe të zemrës sonë.

Koha e rrit dallimin midis atyre që veprojnë dhe atyre që dorëzohen. Shprehitë e mira e kthejnë kohën në aleat, kurse shprehitë e këqija në armik.

Prandaj, le ta ushtrojmë trupin që të jemi të shëndetshëm. Le ta ushtrojmë mendjen që të jemi të mençur. Le ta ushtrojmë shpirtin që të jemi dhe të kënaqur. Le të falemi rregullisht, të lexojmë Kuran, të ecim, të stërvitemi, të reflektojmë dhe të jemi të dobishëm për veten, për familjen dhe për komunitetin. Sepse, nëse nuk e përdorim në të mirë atë që Allahu na ka dhënë, padyshim se do ta humbasim. Mirëpo, nëse e përdorim për të mirë, Allahu do të na e shumëfishojë.

Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe se njeriu do të ketë vetëm atë për të cilën ka punuar; se përpjekjet e tij do të shihen.” (En-Nexhm, 39–40)

O Allah, na ndihmo nev që të jemi besimtarë që punojnë, mësojnë dhe nuk dorëzohemi. Na i forco trupat tanë në adhurim, mendjet tona në dijeni dhe zemrat tona në durim dhe mirënjohje. Na bëj që çdo ditë e jonë të jetë një hap më afër Teje. Amin!

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)

NA NDIQ NË FACEBOOK