Bota
“Nëse nuk e pranoni tani, do të jetë më keq”, SHBA ushtron presion mbi Zelensky-n
Zyrtarët amerikanë kanë njoftuar aleatët e NATO-s se Uashingtoni synon të ushtrojë presion mbi presidentin ukrainas, Volodymyr Zelensky, për të pranuar një marrëveshje paqeje me Rusinë në ditët në vijim.
Sipas Guardian, informacioni u dha gjatë një takimi të ambasadorëve të NATO-s në Kiev, të drejtuar nga Sekretari i Ushtrisë Amerikane, Dan Driscoll, pas bisedimeve me Zelensky-n dhe një telefonate me Shtëpinë e Bardhë.
“Asnjë marrëveshje nuk është perfekte, por duhet të bëhet sa më shpejt të jetë e mundur”, tha Driscoll, ndërsa atmosfera në takim u përshkrua si e tensionuar, me diplomatë evropianë që shprehën dyshime për përmbajtjen dhe mënyrën e zhvillimit të negociatave pa informuar plotësisht aleatët.
Driscoll e mbrojti këtë qasje:
“Presidenti Trump dëshiron paqe tani. Sa më shumë njerëz të përfshihen, aq më e vështirë bëhet të ecet përpara me procesin., shkruan euronews.albania.
Zyrtarët amerikanë paralajmëruan se nëse Kievi nuk e nënshkruan tani, marrëveshja mund të përkeqësohet në të ardhmen.
Takimi i ardhshëm në Gjenevë
Këshilltarët e sigurisë kombëtare nga vendet E3 pritet të takohen nesër në Gjenevë me zyrtarë nga Bashkimi Evropian, SHBA dhe Ukraina për të diskutuar planin e paqes të propozuar nga Uashingtoni.
Çfarë përfshin marrëveshja?
Drafti për Ukrainën përfshin kushte të vështira për Kievin, duke përfshirë:
Lëshimin e territoreve tashmë të pushtuara nga Rusia dhe zonave shtesë nën kontroll ukrainas.
Parashikimin e amnistisë për të gjitha krimet e luftës të kryera gjatë konfliktit.
Presidenti Zelensky e përshkroi situatën si “një nga më të vështirat në historinë tonë”, duke theksuar se Ukraina po përballet me dilemë midis humbjes së dinjitetit të saj ose të një aleati kyç.
















