Connect with us

Lajme

Limani pas rezultateve në Kërçovë: Fundi i një regjimi nuk është fundi i shpresës për qytetarët

Publikuar

Kandidati për Komunën e Kërçovës, Fatmir Limani, ka reaguar pas rezultateve zgjedhore në komunë, duke e cilësuar ditën e sotme si “të trishtë për komunitetin shqiptar”, por njëkohësisht ka bërë thirrje për qetësi, bashkim dhe shpresë në të ardhmen.

Në reagimin e tij publik, Limani u shpreh se rezultati është pasojë e “kokëfortësisë dhe përçarjes që u mboll ndër vite”, por theksoi se asnjë prej të arriturave kombëtare të shqiptarëve në Kërçovë nuk do të cënohet.

“Është një ditë e trishtë sot për Kërçovën tonë. Është si ditët me shi, por nesër do të jetë kohë e mirë. Ju garantoj se as gjuha, as flamuri, as punësimet, as mirëkuptimi ndëretnik nuk do të cënohen. Nuk ka asnjë shans që të ketë revansh ndëretnik. Unë jam garanti i kësaj,” – u shpreh Limani.

Ai shtoi se kandidatura e tij kishte për qëllim bashkimin e shqiptarëve dhe afrimin me komunitetet e tjera në qytet, por kjo nuk u pranua nga drejtues të tjerë politikë.

“Ai që mbolli retë, e dinte se do të sillte shi. E dinte se ndarja e votës shqiptare do të sillte këtë rezultat, por megjithatë zgjodhi ta bënte. Kush mbjell shiun, korr furtunën,” – theksoi Limani.

Megjithë zhgënjimin, Limani tha se do të vazhdojë angazhimin e tij për zhvillimin e Kërçovës dhe realizimin e projekteve të premtuara.

“Unë nuk do të tërhiqem. Sot jam më i motivuar se kurrë për t’i shërbyer vendlindjes sime. Spitali, hapja e vendeve të punës për të rinjtë, mbështetja për kompanitë kërçovare – këto projekte do të realizohen. Kërçova meriton zhvillim dhe bashkim, jo përçarje,” – përfundoi ai.

Limani apeloi për mirëkuptim mes qytetarëve dhe bashkëjetesë ndëretnike, duke theksuar se “fundi i një regjimi nuk është fundi i shpresës për qytetarët”./Zyrtare.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK