Lajme
Limani: Koalicioni AKI besoj se do të vazhdon edhe pas zgjedhjeve në Gostivar

Në një intervistë për emisionin ZOOM që transmetohet në RTVM2, kryetari actual i komunës së Gostivarit, Valbon Limani, u shpreh se Aleanca Kombëtare për Integrim pritet të vazhdojë bashkëpunimin edhe pas zgjedhjeve lokale, ndonëse vendimi final do t’u takojë organeve partiake.
Limani, i cili i përket krahut të Aleancës për Shqiptarët që udhëhiqet nga Arben Taravari, tha se për momentin prioritet mbetet përfundimi i procesit zgjedhor në Gostivar dhe Vrapçisht, ku raundi i dytë i zgjedhjeve zhvillohet më 11 janar.
“Tani prioritet është përfundimi i zgjedhjeve lokale. Pas kësaj do të vijë periudha e analizave dhe vlerësimeve, por sipas meje besoj se do të vazhdojmë si Aleancë Kombëtare për Integrim edhe pas zgjedhjeve,” u shpreh Limani.
Deklarata e tij vjen në të njëjtën ditë kur një krah i Aleancës për Shqiptarët njoftoi largimin nga koalicioni AKI. Krahët brenda partisë tashmë kanë pozicione të ndryshme: njëra palë ka shpallur shkëputjen, ndërsa krahu i Taravarit – ku bën pjesë edhe Valbon Limani – vijon të jetë pjesë e AKI-së.
















