Lajme
Kurti nga Manastiri: Kjo qendër e gjuhës sonë krah për krah me Prizrenin e Vlorën

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, qëndroi sot në Manastir në kuadër të manifestimeve për Ditën e Alfabetit të Gjuhës Shqipe dhe 117-vjetorin e Kongresit të Manastirit.
Në fjalën e tij, Kurti theksoi se nga Kongresi i Manastirit i vitit 1908 e deri te Kongresi i Drejtshkrimit i vitit 1972, përpjekja kryesore ka qenë njësimi i shkrimit të shqipes, jo vetëm për arsye praktike, por si projekt kombëtar për bashkim përtej ndarjeve politike e krahinore.
“Që nga Kongresi i Manastirit më 1908 e deri te Kongresi i Drejtshkrimit të vitit 1972, kemi përpjekjet për të njësuar shkrimin e shqipes, jo thjesht për arsye operative, por edhe për një arsye tjetër: që përkundër ndarjeve politike, krahinore, ideologjike, shqiptarët të bashkoheshin te gjuha… Bashkë na bën gjuha si fakt i natyrshëm, politikisht bashkë na bën shkrimi i njësuar i saj”, theksoi Kurti.
Ai u ndal edhe te roli historik i Manastirit, duke e vendosur krah për krah me dy qendra të tjera simbolike të historisë kombëtare shqiptare: Prizrenin dhe Vlorën.
“Prandaj, çdo vit kujtojmë 22 nëntorin si Ditë të Alfabetit. Prandaj Manastiri i bashkëngjitet Prizrenit e Vlorës si tre vendndodhje të rëndësishme të historisë sonë. Përkujtimi brenda javës edhe i Kongresit të Manastirit, edhe i Kuvendit të Vlorës, lidh bashkë gjuhën e kulturën me idenë e lirisë dhe të vetëvendosjes”, u shpreh ai.
Kryeministri i Kosovës nënvizoi se këto dy data – Kongresi i Manastirit dhe Kuvendi i Vlorës – bartin “kujtesën, amanetin, vullnetin për të përjetësuar njësimin dhe zhvillimin e shqiptarëve”, duke uruar:
“Gëzuar 117-vjetori i Kongresit të Alfabetit!”, theksoi Kurti.(INA)
















