Connect with us

Lajme

Ku e ka shkelur Balluku sipas SPAK?

Publikuar

Orë pasi Gjykata Kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit vendosi masën e sigurisë pezullim nga detyra, dhe ndalimin e daljes jashtë vendit për zv/kryeministren, njëkohësisht dhe ministren e Infrastrukturës, Belinda Balluku, si dhe arrest shtëpie për dy zyrtarë të Rrugëve, Gentian Gjyli dhe Erald Elezi, SPAK doli me një njoftim zyrtar duke shpjeguar se Balluku, në cilësinë e ministres ka orientuar zhvillimin e tenderëve në mënyrë të kundërligjshme për tunelin e Llogarasë dhe Lotin e Katërt të Unazës së Madhe deri në momentin e lidhjes së kontratës me operatorin ekonomik fitues.

Për këtë arsye, SPAK i ka kërkuar GJKKO të vendosë masa sigurie ndaj saj dhe atyre që i kishte vartës, nën pretendimin për shkelje të barazisë në tenderë.

“E pandehura Belinda Balluku, në bashkëpunim me anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, të pandehurit; Evis Berberi, Gentian Gjyli, Erald Elezi, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi për Tunelin e Llogarasë, kanë krijuar avantazhe dhe privilegje të padrejta për bashkimin e operatorëve ekonomikë fitues ‘I….dhe A…..’.

Në kohën e kryerjes së veprimeve për këtë procedurë prokurimi, të pandehurit kanë pasur detyrat funksionale; Evis Berberi, Drejtor i Përgjithëm i Autoritetit Rrugor Shqiptar, Erald Elezi, Drejtor i Drejtorisë së Planifikimit Strategjik dhe Operacioneve në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Gentian Gjyli, Drejtor i Drejtorisë së Ndërtimit dhe i Mirëmbajtjes në Autoritetin Rrugor Shqiptar, Jetmira Dervishi dhe Mirzeta Kashnica, Specialistë të Nivelit të Lartë në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Sa i takon procedurës së prokurimit me objekt, ‘Ndërtimi i  Unazës së Jashtme Tiranë, Loti 4’, Balluku në bashkëpunim me të pandehurin Evis Berberi, anëtarët e Njësisë së Prokurimit, shtetasit J.Ç, A.K., D.Xh, anëtarët e Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, Erald Elezi dhe shtetasit K.K, M.Sh., kanë paracaktuar fituesin e kësaj procedure prokurimi, krijuar avantazhe bashkimin e operatorëve ekonomikë, ‘E…’ sh.p.k, ‘P…’sh.p.k, dhe ‘N…’sh.p.k”, shkruhet në njoftimin e SPAK. /tesheshi.com/

NA NDIQ NË FACEBOOK