Connect with us

Lajme

Incidenti në Prilep, reagon zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni

Publikuar

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Astrit Iseni, ka reaguar përmes një postimi në rrjetin social Facebook lidhur me incidentin e ndodhur gjatë ndeshjes futbollistike mes KF Shkëndija – Haraçinë dhe KF Pobeda në Prilep.

Iseni ka bërë të ditur se Ministria e Punëve të Brendshme ka ndërmarrë menjëherë të gjitha veprimet e nevojshme ligjore për zbardhjen e rastit.

“Sapo ka përfunduar ndeshja, policia ka identifikuar dhe ndaluar personin që shkaktoi incidentin në dhomën e zhveshjes së ekipit mysafir. Ndërkohë, ndaj të tjerëve që kanë marrë pjesë në sjellje të papërshtatshme janë ndërmarrë procedurat përkatëse në bashkëpunim me organet kompetente”, ka theksuar Iseni.

Ai ka shtuar se janë iniciuar masa disiplinore edhe ndaj pjesëtarëve të policisë që nuk kanë reaguar me kohë, duke theksuar se përgjegjësia për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike është e pandashme.

“Do të ketë zero tolerancë ndaj çdo forme të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes. Institucionet do të veprojnë me vendosmëri për të mbrojtur rendin publik dhe për të garantuar sigurinë e secilit qytetar, pa dallim”, ka theksuar më tej zëvendësministri Iseni.

Në fund të reagimit, ai ka kujtuar se dhuna nuk ka vend në sport, duke bërë thirrje për respekt, sportivitet dhe bashkëjetesë në të gjitha fushat e jetës.

Advertisement