Religjion
Hyr në grupin e të ftuarve të Allahut!

Transmetohet nga Hasen el-Basriu, se ka thënë:
“Ishte një njeri i cili tha: ‘Do t’i bindem Allahut të Madhëruar në atë mënyrë që do të flitet për bindjen time.’ Dhe vërtet, askush nuk mund ta shihte atë në kohën e namazit duke bërë diçka tjetër përveçse duke u falur. Ai hynte i pari dhe dilte i fundit nga xhamia. Pas shtatë muajsh, njerëzit nuk e vlerësonin. Kur ai kalonte pranë tyre, thoshin: ‘Shikonie këtë hipokrit.’ Njeriu për të cilin flet Hasen el-Basriu e analizoi veten dhe arriti në përfundimin se njerëzit flisnin për të vetëm keq. Atëherë vendosi dhe tha: ‘Çdo vepër timen prej sot do t’ia kushtoj vetëm Allahut të Madhëruar.’ Ai nuk ndryshoi asgjë nga adhurimi i tij, përveç qëllimit (nijetit). Pas njëfarë kohe, njerëzit filluan ta vlerësojnë dhe kur ai kalonte pranë tyre, thoshin: ‘Vërtet, Allahu i Madhëruar i ka dhënë mëshirë këtij njeriu.’ Pastaj Hasen el-Basriu e lexoi ajetin: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” (Merjem, 96)
Imam Ahmedi në “Musnedin” e tij transmeton nga Ebu Hurejre (r.a.) se Muhamedi (savs) ka thënë: “Kur Allahu i Plotfuqishëm e do një njeri, Ai e njofton melekun Xhibril, duke i thënë: ‘O Xhibril, Unë e dua këtë njeri, andaj duaje edhe ti.’ Kur Xhibrili e do, ai u drejtohet banorëve të qiejve dhe u thotë: ‘O banorë të qiejve, Allahu e do këtë njeri, andaj duajeni edhe ju.’ Dhe dashuria përhapet mes banorëve të qiejve ndaj atij njeriu, e pastaj ajo zbret mes banorëve të Tokës dhe njerëzit e duan atë. Ndërsa, kur Allahu i Plotfuqishëm e urren një njeri, Ai e njofton melekun Xhibril dhe i thotë: ‘O Xhibril, Unë e urrej këtë njeri, andaj urreje edhe ti.’ Kur Xhibrili e urren, ai u drejtohet banorëve të qiejve dhe u thotë: ‘O banorë të qiejve, Allahu e urren këtë njeri, dhe u kërkon edhe atyre ta urrejnë. Dhe urrejtja përhapet mes banorëve të qiejve ndaj atij njeriu, e pastaj ajo zbret edhe mes banorëve të Tokës dhe edhe njerëzit e urrejnë atë.” (Muslimi)
Zgjedhja e njeriut është nëse do të jetë i dashur apo i përbuzur. Ata që i janë bindur Allahut të Madhëruar, që janë të devotshëm në këtë botë, që nuk i kundërvihen të Dërguarit, që zbatojnë urdhrat dhe shmangen nga ndalesat, ata janë ata që i do Allahu i Madhëruar, dhe Ai i quan ata të ftuarit e Tij: “Ditën, kur do t’i tubojmë besimtarët te i Gjithëmëshirshmi, si të ftuar.” (Merjem, 85)
Mëkatarët, gënjeshtarët, ata që i kundërvihen të Dërguarit, që shmangen nga urdhrat dhe shoqërohen me ndalesat, atyre Allahu i Madhëruar ua premton etjen dhe Xhehenemin: “e do t’i shtyjmë të ligjtë në Xhehenem, si tufë e etur.” (Merjem, 86) Njeriu me punën dhe përpjekjen e vet mund të rreshtohet në mesin e të ftuarve të Allahut të Madhëruar. Njeriu ka mundësinë ta zgjedhë edhe rrugën e kundërt, duke qenë nga ata që do të shtyhen të etur në zjarr. Askush nuk do të mund t’i ndihmojë askujt, përveç atyre që e kanë plotësuar detyrimin ndaj Allahut. Allahu i Lartësuar thotë: “Aaskush nuk do të mund të ndërhyjë, përveç atij që ka marrë lejen dhe premtimin e të Gjithëmëshirshmit.” (Merjem, 87)
Allahu i Madhëruar u ka dhënë njerëzve detyrime, në mënyrë që ata ta përmbushin misionin e kësaj bote. Nëse dëshiron të rreshtohesh në mesin e të ftuarve të Allahut të Madhëruar, plotëso detyrimin, falu, sepse kjo është një nga veprat që do të të ndihmojë të gjendesh para Zotit të botëve me fytyrë të ndritur. Nëse dëshiron të rreshtohesh në mesin e të ftuarve të Allahut të Madhëruar, atëherë plotëso detyrimin dhe jep nga ajo me të cilën të ka furnizuar i Lartësuari, sepse kjo është vepra që do ta mundësojë ta marrësh librin tënd në dorën e djathtë. Nëse dëshiron të gjendesh para Zotit të botëve si i ftuari i Tij, si ai që e do Ai, atëherë përmbushi detyrimet që ke marrë përsipër si musliman. Këto detyrime rrjedhin nga Kelime-i-Shehadeti të cilin e kemi shqiptuar me numër të pafund, qoftë me vetëdije apo pa të. Ti duhet të përmbushësh detyrimin e fëmijës së bindur ndaj prindërve.
Imagjinoni, një ditë pejgamberi, Muhamedi (savs), po ngjitej në mimber dhe me zë të lartë tha tri herë: “Amin” – gjë që nuk e kishte bërë kurrë më parë. Shokët e pyetën se pse e kishte bërë këtë, kurse i Dërguari u tha: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: ‘Qoftë i mallkuar ai tek i cili prindërit e arrijnë pleqërinë, ndërsa ai nuk e fiton Xhenetin përmes tyre – thuaj Amin’ – dhe unë thashë: ‘Amin’.”
Ti ke mundësinë të jesh i ftuar tek Zoti i botëve. Plotëso detyrimin, sepse vetëm për ata që e kanë përmbushur detyrimin e marrë përsipër do të mund të ndërmjetësohet në botën e ardhshme, dhe vetëm ata do të mund të hyjnë në atë pjesë ku do të mblidhen musafirët e Allahut, të ftuarit e Tij. E di që dëshiron edhe ti të jesh musafir në gostinë e Zotit në botën e ardhshme, prandaj plotëso detyrimin dhe bëhu prind i përgjegjshëm. Ne e dimë se Muhamedi (savs) na mëson se prind i përgjegjshëm është ai që ia lë fëmijës së tij pasurinë më të mirë, ndërsa i Dërguari thotë se pasuria më e mirë që mund t’i lësh fëmijës është edukata e mirë.
Sa detyrime kemi përpara nesh? Çdo ditë na presin këto detyrime. Allahu i Madhëruar në Kuran, dhe Muhamedi (savs) në sunet, në hadithe, na nxisin që çdo ditë t’i përmbushim detyrimet që i kemi marrë përsipër. Allahu i Madhëruar në Kuran na paralajmëron dhe na nxit për detyrimet me betim: “Pasha kohën…”, duke dashur të na kujtojë që të mos e shtyjmë plotësimin e detyrimeve. Muhamedi (savs) me hadithin e tij na thotë: “Unë jam dita e re – thotë çdo ditë që zbardh – nuk do të kthehem më kurrë deri në Ditën e Gjykimit, prandaj shto kryerjen e të mirave në mua, sepse unë nuk do të ekzistoj më.” Vetëm sot ekziston kjo ditë, dhe ndoshta nesër ekziston një ditë e re, por mund të mos ekzistosh ti.
Ibni Ebi Hakimi shënon: “Kur besimtari ngrihet nga varri, atë që i ka plotësuar detyrimet, do ta presë një njeri jashtëzakonisht i bukur, i parfumosur për mrekulli, dhe i ringjalluri do të pyesë: ‘Kush je ti?’ Ai njeriu do të thotë: ‘A nuk më njeh?’ ‘Nuk të njoh, por po shoh që je kaq i bukur dhe që po mban erë kaq të këndshme.’ ‘Unë jam vepra jote e mirë, ti u shoqërove me mua në këtë botë, prandaj unë do të shoqërohem tani me ty në botën tjetër. Eja pas meje, po të udhëheq në mesin e të ftuarve të Allahut.’”
Si besimtarë, ne kemi marrë përsipër detyrime. Allahu i Madhëruar thotë se këto detyrime, këtë amanet të besimit, këtë promovim të së mirës në këtë botë, ua ka ofruar qiejve, Tokës, maleve, por ata nuk e pranuan. Atë e pranoi njeriu. Allahu i Madhëruar ia ka dhënë këtij njeriu mëshirën e Tij të pafund dhe nga ai kërkon që t’i përmbushë detyrimet. Prandaj, besimtari do ta përmbushë detyrimin e tij ndaj bashkësisë, ndaj xhematit, do të kujdeset, përveç interesave personale, edhe për interesat e përbashkëta. Është detyrim që në punën që bën, të punosh me përgjegjësi. Është detyrim që të bësh gjithçka që mund të bësh për të mirën e përgjithshme. Kur të ngrihesh nga varri, mund të të presë vepra jote e formësuar si një njeri i bukur. Por mund të të presë vepra jote e formësuar si etje dhe zjarr.
Njeriu i përmendur në fillim shkonte në xhami për një periudhë që ta shihnin njerëzit, e pastaj e kuptoi se kjo nuk e ndryshonte vlerësimin e tij në Tokë, prandaj vendosi të bëjë mirë vetëm për hir të Allahut. Atëherë filluan ta vlerësojnë edhe njerëzit, sepse Allahu i Madhëruar thotë: “Në të vërtetë, atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i Gjithëmëshirshmi do t’u dhurojë dashuri.” (Merjem, 96)
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo, që të na duan edhe banorët e qiejve, edhe banorët e Tokës. Amin.
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)





















