Lajme
Fatmir Sabriu zhvillon vizitë zyrtare në Tiranë, merr pjesë në Konferencën Rajonale për Shërbime Sociale

Sekretari Shtetëror në Ministrinë e Punës Sociale, Demografisë dhe Rinisë, Fatmir Sabriu, ka zhvilluar një vizitë zyrtare në Tiranë, ku është takuar me Kreshnik Lokën, Zëvendës-Sekretar të Përgjithshëm të RYCO-s. Gjatë takimit u diskutuan proceset aktuale të organizatës, sfidat që ndikojnë në funksionimin e saj si dhe hapat e nevojshëm për rritjen e efikasitetit institucional.
Një nga temat qendrore ishte iniciativa për krijimin e Fondit të Veçantë të RYCO-s, një instrument strategjik që synon mbështetjen e projekteve dhe aktiviteteve rinore në të gjithë Ballkanin Perëndimor. Ky fond pritet të forcojë bashkëpunimin rajonal dhe të rrisë rolin e të rinjve në zhvillimin shoqëror.
Pjesëmarrja në Konferencën Rajonale për Shërbime Sociale të Qëndrueshme
Gjatë qëndrimit në Tiranë, Sekretari Shtetëror Fatmir Sabriu mori pjesë edhe në Konferencën Rajonale për Shërbime Sociale të Qëndrueshme, e cila mblodhi përfaqësues të lartë nga Shqipëria, Austria dhe Maqedonia e Veriut. Konferenca u fokusua në forcimin e sistemeve sociale, avancimin e politikave të qëndrueshme dhe shkëmbimin e praktikave institucionale ndërmjet vendeve pjesëmarrëse.
Ngjarja u mbështet nga partnerët ndërkombëtarë: UNICEF, Bashkimi Europian dhe Këshilli i Europës, të cilët vijojnë të luajnë rol të rëndësishëm në promovimin e standardeve sociale dhe zhvillimin e politikave që synojnë mirëqenien e qytetarëve.
















