Religjion
Emrat nuk kanë rëndësi, sepse trëndafilit i vjen era edhe po të quhej ndryshe

Falënderimi i takon Allahut të Plotfuqishëm, Zotit të të gjitha botëve. Le të sjellim salavate dhe selam mbi të dërguarin e fundit dhe të dashurin të Allahut, Muhamedin a.s., mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë robërit e mirë të Allahut.
Vëllezër të dashur! Po e këshilloj veten dhe juve për besim të palëkundur në Allahun, në melekët e Tij, në librat e Tij, në pejgamberët e Tij, në Ditën e Gjykimit dhe në caktimin e Tij.
Tregohet se në kohën e Ali ibn Ebi Talibit (r.a.) kishte një grup njerëzish të njohur për devotshmërinë e tyre të jashtme: faleshin shumë, agjëronin shpesh, lexonin Kuran… por zemrat e tyre ishin të ngurta dhe pa asnjë ndjeshmëri ndaj thelbit të fesë. Një ditë, në rrugë, ata e takuan një sahabi të Pejgamberit (savs), dhe pa ndonjë arsye ia prenë kokën. Pas kësaj, iu drejtuan bashkëshortes së tij shtatzënë, ia çanë barkun me shpatë dhe e vranë foshnjën në bark, pastaj e vranë edhe vetë atë. Megjithatë, fytyrat e tyre ishin të qeta, ndërsa gjuhët e tyre ende shqiptonin fjalë përmendjeje (dhikër) për Allahun. Pas këtij krimi, u ndalën të pushojnë në një kopsht palmash. Ndërkohë ra një hurmë nga pema; njëri prej tyre e mori dhe e futi në gojë. Tjetri, derisa gjaku i njerëzve të pafajshëm ende pikonte nga shpatat e tyre, i tha me zemërim: “A po e ha hurmën pa e paguar?” Dhe ai menjëherë e nxori nga goja dhe e hodhi.
Shikoni, o vëllezër, çfarë absurdi! Nuk i shqetësonte gjaku i njerëzve të pafajshëm, as ai i foshnjës së palindur, por i mundonte frika se e morën pa leje një hurmë që ra nga pema.
Vëllezër të dashur, ndonëse kjo ngjarje ka ndodhur shumë kohë më parë, ajo sikur e përshkruan frymën e kohës sonë, sepse edhe ndër ne sot ka muslimanë që hyjnë në xhami me këmbën e djathtë, por hyjnë edhe në pyjet, arat dhe pronat e të tjerëve, dhe i përvetësojnë si të ishin të tyre.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që e falin namazin rregullisht, por ky namaz nuk i qetëson e as nuk i forcon, por i bën edhe më nervozë dhe më të pakënaqur; ai namaz nuk i bën njerëz më të mirë, por i bën më të urryer në mesin e njerëzve.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që agjërojnë rregullisht, por ai agjërim nuk i pengon që të përgojojnë, ta “hanë mishin e vëllait të tyre të vdekur”, të shpifin e të gënjejnë…
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që lexojnë rregullisht Kuranin, që e “kanë mbaruar hatmen”, por Kurani nuk ka kaluar përmes tyre, sepse veprojnë krejtësisht kundër udhëzimeve të tij: janë të ashpër, të dhunshëm dhe të pamëshirshëm ndaj prindërve, ndaj bashkëshorteve, ndaj fëmijëve dhe ndaj fqinjëve…
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që e japin rregullisht zekatin, sadakanë dhe ndihmojnë në ndërtimin e xhamive, por punëtorit në firmë nuk ia japin pagën me kohë, apo ia mohojnë të drejtën e tij.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që mburren se kanë shkuar disa herë në haxhillëk dhe në umre, ndërsa në lagjen e tyre ka fëmijë që nuk kanë para për një ushqim në shkollë.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që e përmendin rregullisht Allahun, por fjalët e tyre kafshojnë edhe më rëndë se helmi i gjarprit.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që janë gati ta japin edhe jetën për xhami, por nuk ndiejnë asgjë kur e shkelin nderin e fqinjit musliman.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që krenohen me “besnikërinë ndaj sunetit”, por atë e zbatojnë vetëm në pamje të jashtme, jo në sjellje, as në ndershmëri dhe as në butësi ndaj njerëzve.
Edhe ndër ne sot ka muslimanë që dinë t’u mbajnë të tjerëve ligjërata, por jo vetvetes dhe familjes së vet.
Vëllezër të dashur, e gjithë kjo na tregon për një keqkuptim të madh në të kuptuarit dhe në të jetuarit e Islamit, të Kuranit dhe të Sunetit… Për një keqkuptim të fesë, sepse feja nuk është pamje e jashtme, as emër që bartim, por feja është ajo që kemi në zemër dhe në karakter. Në këtë kontekst, i madhi Xhelaludin Rumi ka thënë me urtësi: “Emrat nuk kanë rëndësi, sepse trëndafilit i vjen era, edhe po të quhej ndryshe.”
Çka do të thotë kjo? Kjo do të thotë se ne mund të falemi sa të duam, por nëse namazi ynë nuk na ndryshon për më mirë, ai është i kotë, sepse Allahu i Madhërishëm thotë: “Mjerë për ata, të cilët kur falen, – janë të pakujdesshëm për namazet, – të cilët duna vetëm që të duken – dhe nuk u japin ndihmë nevojtarëve.” (El-Ma‘un, 4–7)
Kjo do të thotë se ne mund të lexojmë Kuran dhe të flasim për Kuran, por nëse nuk lejojmë që Kurani të flasë përmes sjelljeve dhe veprave tona, ai është i kotë.
Kjo do të thotë se ne mund të agjërojmë, të përmbahemi nga ushqimi dhe pija, por nëse nuk përmbahemi edhe nga fjalët e këqija dhe veprat e liga, agjërimi ynë është i kotë.
Ne mund të quhemi Enes, Muhamed apo Hasan, por nëse nga ne del e keqja, padrejtësia, krimi, hajnia, smira, mendjemadhësia…, gjithçka është e kotë.
Kjo ndodh kur feja shndërrohet vetëm në formë, ndërsa shpirti mbetet bosh. Prandaj, Allahu i Lartësuar thotë: “Betohem në kohën! – Me të vërtetë, njeriu është në humbje, – përveç atyre që besojnë dhe bëjnë vepra të mira, i këshillojnë njëri-tjetrit të vërtetën e i këshillojnë njëri-tjetrit durimin.”(El-‘Asr, 01-03)
Vëllezër të dashur, siç e shihni, Islami, Kurani dhe i Dërguari (savs) nuk erdhën për të na bërë njerëz të formës, por njerëz të zemrës. Ai ndërtoi karakter, mirësi dhe ndershmëri — jo vetëm rituale. Pejgamberi (savs) ka thënë: “Më i dashuri prej jush për mua është ai që ka moralin më të bukur.”
Prandaj, le ta pyesim veten: A jeton besimi ynë në sjelljen tonë? A shihet ibadeti ynë në marrëdhëniet tona me të tjerët? A na ndryshon për më mirë namazi, agjërimi, zekati, haxhillëku ynë?
Nëse jo — atëherë ndoshta edhe ne e mbajmë hurmën në gojë, ndërsa gjaku i padrejtësisë së tjetrit ende pikon nga duart tona.
Allahu i Madhërishëm thotë: “Pasha Diellin dhe shkëlqimin e tij – dhe pasha Hënën që e përcjell atë! – Pasha ditën që ia zbulon shkëlqimin atij (Diellit) – dhe pasha natën kur e mbulon atë! – Pasha qiellin dhe pasha Atë që e ka ndërtuar! – Pasha Tokën dhe pasha Atë që e ka shtruar! – Pasha shpirtin dhe pasha Atë që e ka përsosur, – duke ia bërë të njohur atij të keqen dhe të mirën! – Vërtet, kushdo që e pastron shpirtin, do të shpëtojë, – ndërsa kushdo që e shtyp atë (me punë të këqija), do të dështojë.” (Esh-Shems, 01–10)
O Allah, pastroji zemrat tona nga formaliteti, gjuhët tona nga përgojimi, duart tona nga padrejtësia dhe ibadetet tona nga hipokrizia.
Na dhuro besimin që arrin në zemër, besim që na qetëson, na fisnikëron dhe na bashkon. Amin!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















