Connect with us

Lajme

BDI në pikë kthese: Humbja e komunave ndez revoltën

Publikuar

Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI) po përjeton ndoshta njërën prej periudhave më të trazuara që nga themelimi i tij. Humbja e shumicës së komunave urbane në zgjedhjet e mbajtura dje ka prodhuar një tronditje të thellë politike dhe morale në strukturat e partisë. Për herë të parë në më shumë se dy dekada, BDI po përballet me një realitet të ri: baza e saj urbane, dikur e garantuar, i ka kthyer shpinën, shkruan portali Zyrtare.net

Kjo humbje nuk është thjeshtë një çështje rezultatesh zgjedhore – ajo po shndërrohet në një krizë të identitetit politik. Sot, në mbledhjen e Kryesisë Qendrore, partia shpalli se do të mbajë Kongresin e saj në muajin dhjetor, një vendim që duket si përpjekje për të hapur një fazë reflektimi dhe riorganizimi pas tensioneve të akumuluara.

Zëri i revoltës nga Tetova

Pikërisht në Tetovë – qyteti që për vite është konsideruar bastioni moral e politik i BDI-së – po dëgjohet zëri më i fortë i revoltës. Aktivi politik i degës së Tetovës i është drejtuar publikisht kryetarit Ali Ahmeti, duke kërkuar masa ndaj figurave që, sipas tyre, “janë tallur dhe kanë përbuzur nderin e tetovarëve”.

Në reagimin e shpërndarë nga ish-këshilltari komunal Veton Murati, vihet theksi te zhgënjimi i thellë i aktivistëve, të cilët ndihen se puna e tyre është “shkuar dëm në duart e atyre që në kulmin e pushtetit goditën Tetovën nga brenda”.

Ky reagim, me tone të forta emocionale dhe moralizuese, përfaqëson diçka më shumë se pakënaqësi momentale – është shenja e një rebelimi të bazës, që kërkon të rikthejë idealin e dikurshëm të partisë. Ndërsa situata duket më e tensionuar në Tetovë edhe pas publikimit të disa audipërgjimeve në të cilat ish funksionar të kësaj partie fyenin tetovarët.

Nga morali te politika – një debat që sapo ka filluar

Fjalori që po përdoret nga strukturat lokale të BDI-së nuk është më thjeshtë politik; është moral. Termat si “nder”, “dinjitet”, “turp” e “moral” tregojnë një përpjekje për të rivendosur besimin dhe identitetin moral të partisë.

“Dorëheqje për të pamoralshmit dhe ata që njollosin nderin tonë”, shkruajnë aktivistët tetovarë – një thirrje që e kthen debatin e brendshëm në sfidë për pastërtinë e vetë strukturave.

Në këtë frymë, edhe Sekretariati për Mundësi të Barabarta i BDI-së – Dega Tetovë, reagoi duke kërkuar transparencë, përgjegjësi dhe etikë publike në çdo nivel të vendimmarrjes, duke iu drejtuar me ton institucional udhëheqësisë që të sigurojë zbatimin e këtyre parimeve.

Në një kohë kur zërat e revoltës po shtohen, kjo deklaratë përfaqëson përpjekjen për ta mbajtur debatin brenda kornizës së reformës, jo të përçarjes.

Kongresi i dhjetorit – shans apo sfidë për unitetin

Vendimi i sotëm i Kryesisë Qendrore për mbajtjen e kongresit në dhjetor vjen në një moment të ndjeshëm. Kongresi do të jetë një provë e madhe për lidershipin e Ali Ahmetit – nëse do të arrijë ta kanalizojë këtë pakënaqësi në reformë të brendshme, apo nëse do të përballet me presione për ndryshime të thella në strukturë e qasje.
Në çdo rast, dhjetori pritet të jetë muaji kur BDI do të përballet me pyetjen themelore të ekzistencës së saj politike: a do të reformohet për t’u përshtatur me realitetin e ri, apo do të vazhdojë me të njëjtën paradigmë që sot po kontestohet nga baza e saj më e fortë?

Humbja e komunave urbane është vetëm pasqyra e një procesi më të gjatë të shkëputjes mes partisë dhe qytetarit të zakonshëm shqiptar. Tashmë, Tetova dhe qytete tjera po kërkojnë kthim te idealet e dikurshme të BDI-së – drejtësi, barazi, moral dhe përkushtim ndaj njerëzve.
Nëse udhëheqësia dëshiron ta ruajë këtë trashëgimi, kongresi i dhjetorit duhet të jetë më shumë se një ngjarje ceremoniale – ai duhet të shënojë fillimin e një kapitulli të ri, ku përgjegjësia dhe reflektimi të mos jenë vetëm fjalë në komunikatë, por udhërrëfyes në veprim./ZYRTARE.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK