Connect with us

Lajme

Azem Sadiki pranon humbjen: Studeniçani do të mbetet gjithmonë në zemrën time

Publikuar

Kryetari aktual i Komunës së Studeniçanit, Azem Sadiki, ka reaguar pas përfundimit të zgjedhjeve lokale, duke pranuar rezultatin dhe uruar kundërkandidatin për fitoren. Në një mesazh mirënjohjeje drejtuar qytetarëve, Sadiki ka falënderuar të gjithë për përkrahjen gjatë katër mandateve të tij në krye të komunës, transmeton Zyrtare.

“Të nderuar qytetarë të Komunës së Studeniçanit, pas përfundimit të zgjedhjeve, dua t’i falënderoj të gjithë qytetarët për pjesëmarrjen dhe përkrahjen që më kanë dhënë gjatë këtyre viteve. Kam pasur nderin të jem në krye të komunës sonë për katër mandate, periudhë gjatë së cilës jam përpjekur me përkushtim dhe punë të pandalur të realizoj shumë projekte që sot lanë gjurmë në çdo vendbanim të Komunës së Studeniçanit,” – ka deklaruar Sadiki.

Ai ka shprehur mirënjohje të veçantë për bashkëpunëtorët e tij, duke theksuar se ata kanë qenë pjesë e çdo suksesi gjatë udhëheqjes së tij.

“Asnjëherë nuk do t’i harroj njerëzit e mi të afërt që kanë qenë krahu im, më qëndruan besnik gjatë tërë kësaj kohe, sepse ata janë pjesë e të gjitha sukseseve të mia. Këto janë vepra që do të mbeten dhe për të cilat do të jem krenar për sa të jem gjallë,” – u shpreh ai.

Sadiki theksoi se zgjedhjet janë shprehje e vullnetit qytetar dhe uroi kundërkandidatin për sukses në mandatin e ri.

“Zgjedhjet janë shprehje e vullnetit qytetar, prandaj i uroj sinqerisht kundërkandidatit tim për fitoren, duke i dëshiruar suksese në drejtimin e komunës dhe në shërbim të qytetarëve tanë,” – shtoi ai.

Në fund të mesazhit të tij, Sadiki falënderoi të gjithë qytetarët për besimin dhe mbështetjen ndër vite, duke theksuar se “Studeniçani do të mbetet gjithmonë në zemrën time.”/Zyrtare.net/