Lajme
Vrapçisht: Mehmet Seferi bën thirrje për qetësi, Isen Shabani i reagon ashpër

Pas deklaratës së kandidatit të VLEN-it për Komunën e Vrapçishtit, Mehmet Seferi, i cili u bëri thirrje punonjësve të administratës komunale që të mos bien pre e presioneve apo frikësimeve, ka ardhur reagimi i menjëhershëm nga kandidati aktual për kryetar, Isen Shabani, raporton Zyrtare.net
Në thirrjen e tij publike, Seferi u kërkoi nëpunësve komunalë të qëndrojnë të qetë dhe të mos shqetësohen për vendet e tyre të punës.
“Askush nuk do të preket në vendin e punës. Ju do të jeni të mbrojtur dhe të respektuar nga udhëheqja e re komunale. Koha e frikës dhe kërcënimeve ka marrë fund; tani fillon një periudhë e re pune, bashkëpunimi dhe dinjiteti për çdo nëpunës komunal”, deklaroi Seferi.
Por ndaj kësaj deklarate reagoi kandidati aktual dhe kryetar i komunës, Isen Shabani, i cili e cilësoi Seferin si “person pa legjitimitet për të dhënë këshilla apo për të bërë thirrje publike”.
“Ky person nuk ka legjitimitet për të bërë thirrje, për të dhënë këshilla apo për të marrë vendime. Ai është humbësi më i madh në historinë e komunës sonë, me 5,600 vota disfatë, dhe fjala e tij nuk ka asnjë vlerë. Ky mohues është duke refuzuar përballjen me realitetin, edhe kur ai është i shkruar qartë në çdo fletëvotim”, ka deklaruar Shabani.
Përplasja e deklaratave vjen në një periudhë paszgjedhore, ku në Vrapçisht nuk u arrit cenzusi i nevojshëm për zgjedhje lokale të suksesshme./Zyrtare.net/
















