Connect with us

Lajme

Vite premtime, zero veprime/ Struga pa treg të ri të mbyllur

Publikuar

Struga prej vitesh përballet me një treg të vjetëruar, të rrënuar dhe pa kushte minimale për tregtarët e qytetarët. Çdo ditë pazari shndërrohet në kaos, mes betonit të çarë dhe mungesës së higjienës. Megjithatë, zgjidhja për këtë situatë ishte premtuar që në vitin 2017 kur BDI, në programin zgjedhor shpalli ndërtimin e një tregu të ri të mbyllur si një zgjidhje moderne që do tu sillte kushte më të mira tregtarëve dhe qytetarëve, duke eliminuar problemet e vjetra me hapësirën e tanishme. Sot tetë vite më vonë, ky premtim nuk është realizuar dhe qyteti vazhdon të përballet me të njëjtat sfida të përditshme.

(Screenshot nga programi zgjedhor 2017-2021, “Për Komunën që duam” faqe 16)

Tregu aktual është lënë në mëshirë të kohës. Beton i çarë, tavane të mykura, kushte të dobëta higjienike dhe mungesë organizimi janë pamja e përditshme. Për më tepër, kaosi i trafikut në ditët e pazareve krijon telashe jo vetëm për tregtarët, por edhe për banorët që jetojnë afër. Shumë qytetarë shprehen të zhgënjyer, duke theksuar se ky është një prej problemeve më të mëdha urbane që nuk po gjen zgjidhje.

Në vend që të ndërtohet një treg i ri, ideja mbeti në letër, e harruar sapo përfunduan zgjedhjet. Kjo e ka shtuar ndjesinë tek qytetarët se premtimet politike bëhen vetëm për të fituar vota, jo për të përmirësuar jetën e përditshme.

Ndërkohë, sektori privat ka treguar se investimet serioze janë të mundshme. Vetëm gjatë vitit 2025, në Strugë u hap një retail park modern, i cili ofron kushte bashkëkohore dhe e kthen qytetin në një pikë atraktive për blerësit. Ky kontrast i fortë ngre pyetjen: pse investitorët privatë mund të sjellin projekte të reja, ndërsa institucionet publike lënë pas dore edhe nevojat më bazike të qytetarëve?

Qytetarët e Strugës kanë pritur gjatë. Premtimi për tregun e ri mbeti i parealizuar, ndërsa problemet e vjetra po thellohen çdo ditë. Nëse vazhdon kjo qasje, Struga rrezikon të mbetet qytet i premtimeve të pambajtura, jo i zhvillimit të premtuar.

NA NDIQ NË FACEBOOK