Lajme
Vëllai i Xhafer Tahirit i kundërpërgjigjet Ferit Idrizit


Ahmet Tahiri, vëllai i kandidatit të LDK-së për kryetar të komunës, Xhafer Tahiri, ka reaguar ndaj kandidatit të PDK-së, Ferit Idrizi, duke e akuzuar për përfshirje të familjarëve të kundërkandidatëve në debatet politike.
Në një reagim të publikuar në rrjetin social Facebook, Tahiri e ka quajtur të ulët qasjen e kundërshtarit politik, duke thënë se sulmet personale janë shenjë e panikut për humbje.
“Nuk ka gjë më të ulët se kur ata që e ndjejnë humbjen në garë, zgjedhin të godasin nën brez kundërshtarët politikë”, ka shkruar ai.
Tahiri akuzoi Idrizin se, i paaftë për t’u përballur me argumente, ka zgjedhur të përfshijë familjen në përplasjet politike. Ai thekson se suksesi i tij profesional si avokat dhe jeta që bën janë rezultat i punës dhe përkushtimit, jo i përfitimeve politike.
Ky është postimi i tij i plotë:
Nuk ka gjë më të ultë se kur ata që e ndjejnë humbjen në garë, zgjedhin të godasin nën brez kundërshtarët politikë.
Kështu ndodhi sot me Ferit Idrizin i cili i paaftë për t’u përballë me argumentet, përfshiu familjarët.
Po, z. Idrizi, unë vozis veturë të mirë dhe gjithçka e kam arritur me mund dhe djersë. Jam edhe tatimpagues i rregullt.
Nga taksat e mia dhe të qytetareve t’i vozit veturë me qera 900 euro në muaj. E turpshme është kjo që bëni, e jo puna e njerëzve që angazhohen në sektorin privat dhe ju i apostrofoni qëllimshëm për të fshehur dështimet e juaja.
Nëse edhe një herë do të merreni me ne familjarët, atëherë të jesh i sigurt se do të ballafaqohemi në gjykatë. E, të jesh i sigurtë, një prej gjërave që di të bëjë më së miri është të mbroj të drejtat e mia. Jo rastësisht jam ndër avokatët më të paguar!
Dallimi mes nesh është i qartë: unë kontribuoj, ti përfiton.





















