Connect with us

Lajme

Valbon Limani prezanton projekte e reja infrastrukturore për Gostivarin

Publikuar

Kandidati i koalicionit AKI për Gostivarin, Valbon Limani, gjatë konferencës së sotme për shtyp prezantoi projektet kryesore infrastrukturore që planifikon të realizojë nëse zgjidhet kryetar i komunës.

Një nga projektet më të rëndësishme është “Ura e Harmonisë”, e cila do të ndërtohet mbi lumin Vardar. Limani e përshkroi urën si një simbol të lidhjes dhe zhvillimit:

“Ura do të jetë një vepër moderne infrastrukturore me katër korsi për automjete, shtigje për biçikleta dhe trotuare të sigurta për këmbësorët. Ajo do të lidhë lagjet, lehtësojë komunikacionin dhe do të ndihmojë në zhvillimin e Gostivarit,” tha Limani.

Ai prezantoi edhe një tjetër projekt madhor – transformimin e bulevardit kryesor, i cili sipas tij do të bëhet zemra urbane e qytetit, një arterie moderne që sjell jetë dhe energji të re në Gostivar.

Për të adresuar sfidat e parkimit në qendër, Limani paralajmëroi ndërtimin e një parkingu nëntokësor me dy kate, me kapacitet për 126 automjete, një hap i rëndësishëm për përmirësimin e qarkullimit dhe shërbimeve në zonën qendrore.

Këto projekte synojnë të kombinojnë zhvillimin urban me infrastrukturë moderne, duke përmirësuar jetën e qytetarëve dhe duke nxitur rritjen ekonomike të Gostivarit./Zyrtare.net/