Connect with us

Lajme

“Telallët e taxhisë heshtin”, Ibrahimi: U arrestua një spiun që lavdëronte Ali Ahmetin, mos thoni se është rastësi!

Publikuar

Njëri nga liderët e koalicionit VLEN, Zeqirja Ibrahimi, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale lidhur me arrestimin në Kosovë të Fatmir Shahollit, i dyshuar për spiunazh në favor të Serbisë.

Ibrahimi ka kujtuar një rast të vitit të kaluar, kur, sipas tij, kundërshtarët politikë e kishin sulmuar koalicionin VLEN pasi ishte përfolur se babai i një personi teknik të angazhuar në fushatën e tyre kishte qenë nën hetime për të njëjtën akuzë.

“Para gati një viti doli njëfarë lajmi se babai i një djaloshi, të angazhuar me detyrë teknike në fushatën tonë më 2024, qenka arrestuar në Kosovë me dyshime për spiunazh ndaj Serbisë. Dhe, atëherë u ngritën ‘i hunit e i konopit’ që të na sulmojnë gjoja për lidhjet me këtë rast,” shkruan Ibrahimi.

Ai thekson se personi në fjalë kishte vetëm një rol teknik dhe asnjë qëndrim politik, ndërsa tani pyet pse po heshtin ata që dikur e kishin akuzuar VLEN-in.

“Por tash, kur doli se njëfarë udbashi me emrin Fatmir Shaholli është arrestuar në Kosovë për spiunazh ndaj Serbisë, ndërsa ai vetëm para ditësh kishte thurur elozhe për Ali Ahmetin, si ‘lider i shqiptarëve në RMV’, këta ‘telallët e taxhisë’ heshtin, bëjnë të shurdhëtin,” shton ai.

Në fund, Ibrahimi e mbyll reagimin e tij me një mesazh ironik:

“Veç mos më thoni se është rastësi!”/Zyrtare.net/

NA NDIQ NË FACEBOOK