Shqipëri
“SPAK në aksion për arrestimin e një deputeti”, e zbulon eksperti i kriminalistikës

Një zhvillim i rëndësishëm në kuadër të luftës kundër korrupsionit është bërë publik nga eksperti i kriminalistikës, Ervin Karamuço. Sipas tij, një deputet i Kuvendit të Shqipërisë pritet të arrestohet së shpejti, pasi SPAK (Struktura e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar) po heton mbi prova të forta të korrupsionit.
Në një prononcim për një emision televiziv, Karamuço zbuloi se SPAK ka nisur një hetim mbi një “bllok shënimesh” ku janë dokumentuar me detaje ndarjet e parave të korrupsionit. Ai theksoi se ky bllok ka një vlerë të madhe për hetuesit, pasi në të janë shënuar shifra të mëdha parash që janë shndërruar në prona. “Në këtë bllok janë vënë re shënime ku ky deputet ka vënë persona të tjerë që mbajnë shënim si do ndahen paratë e korrupsionit të ngurtësuara në disa prej banesave në rrethinat e Tiranës,” tha Karamuço.
Sipas ekspertit, një zonjë e ka dorëzuar personalisht këtë bllok në SPAK, duke vënë në lëvizje prokurorët. Shënimet thuhet se përfshijnë detaje si “Këtë banesë e ka filani, por është për llogari timen,” duke e bërë këtë dëshmi jashtëzakonisht të rëndësishme për çështjen.
Pavarësisht rëndësisë së rastit, Ervin Karamuço nuk dha detaje për emrin e deputetit apo për partinë politike së cilës ai i përket. Ai theksoi se hetimet kanë filluar dhe se shumë shpejt priten “masa konkrete” ndaj këtij ligjvënësi. Kjo deklaratë ka rritur vëmendjen e opinionit publik, i cili pret me padurim veprimet e radhës nga ana e SPAK-ut.
















