Lajme
Snopçe: Partitë shqiptare në “VLEN” po zbatojnë planet e VMRO-së – tradhti kombëtare!

Deputeti i Aleancës për Shqiptarët, Halil Snopçe, ka reaguar përmes rrjeteve sociale duke theksuar se çdo ditë po dëshmohet se Aleanca për Shqiptarët kishte vepruar drejt kur u largua nga koalicioni “Vlen”.
Sipas tij, zhvillimet e fundit në skenën politike tregojnë qartë se për të qenë pjesë e qeverisjes nën tutelën e VMRO-së, partitë shqiptare në “Vlen” po detyrohen të bëjnë koncesione të rënda dhe të pranojnë çdo kërkesë që u imponohet.
“Tani është bërë e qartë se për të qenë nën tutelën e VMRO-së, duhet t’i dorëzohen asaj koncesione të mëdha, madje të rënda. Partitë e mbetura në ‘Vlen’ kanë hyrë në këtë labirint dhe kanë pranuar gjithçka që u kërkohet,” ka shkruar Snopçe.
Ai ka kujtuar deklaratën e kryeministrit se “ne kemi plan dhe qëllim”, duke shtuar se ky plan tashmë po zbatohet me hapa konkretë.
“Ashtu siç deshi padroni i tyre, ata ia dorëzuan Butelin, dhe tani kërkohet edhe Kërçova, Bërvenica e Struga, pjesë e së njëjtës strategji. Për këtë, kryeministri i kërcënon me mbështetjen në Tetovë dhe komunat tjera shqiptare,” ka theksuar deputeti.
Snopçe ka akuzuar partitë shqiptare të përfshira në koalicionin “Vlen” për bashkëpunim në zbatimin e planeve të VMRO-së, duke e quajtur këtë “tradhti kombëtare”.

















