Lajme
Si e shpëtoi Levica” AKI-n nga humbja në Strugë që në raundin e parë?

Kandidati i pavarur për Strugën, Mendi Qyra, arriti një fitore të qartë dhe bindëse ndaj kundërshtarit të tij nga AKI, me një epërsi prej mbi 200 votash dhe me mbështetje të gjerë nga shumica e qytetarëve që votuan për ndryshim real. Megjithatë, fitorja e Qyrës në raundin e parë u pengua për shkak të rolit që në këtë garë luajti partia Levica, e cila me daljen e saj të papritur ndikoi drejtpërdrejt në rezultatin përfundimtar.
Dyshimet për skenarin e koordinuar
Sipas shumë analizave lokale, paraqitja e Levicës në këtë garë nuk ishte rastësore. Para zgjedhjeve, në opinion qarkullonin pretendime se kjo parti garon qëllimisht në komuna me shumicë shqiptare për t’i shërbyer interesave të AKI-së, duke ndihmuar kandidatin e saj të shmangë humbjen që në raundin e parë. Kjo tezë u përforcua pas zgjedhjeve, pasi rezultatet në Strugë treguan qartë se pjesëmarrja e Levicës copëzoi votën maqedonase, gjë që i shkoi drejtpërdrejt për shtat kandidatit të AKI-së.
Rezultatet flasin vetë
Mendi Qyra – 9.934 vota (37.7%)
Arsim Dalipi (AKI) – 9.719 vota (36.9%)
Jovana Mojsoska (Levica) – 2.809 vota (10.6%)
Vota të tjera – parti më të vogla dhe kandidatë të pavarur
Kështu, Levica praktikisht e shpëtoi AKI-n nga një humbje e sigurt, duke i dhënë kandidatit të saj edhe dy javë shtesë jetë politike.
Skenar që përsëritet në disa komuna
Sipas analistëve, i njëjti model është vërejtur edhe në komuna të tjera: Levica shfaqet aty ku prania e saj dobëson opozitën dhe ndihmon AKI-n. Këto dyshime u forcuan edhe më tej pas qarkullimit të disa fotografive, ku shihet Musa Xhaferi, një nga figurat kryesore të AKI-së, në takim me një deputet të Levicës, një lidhje që hedh dritë mbi mundësinë e një koordinimi të fshehtë politik.
Të dhëna që ngrenë pyetje serioze
Një tjetër element i dyshimtë është mbështetja e organizuar e LSDM-së për kandidatin e AKI-së në Strugë. Analiza e rezultateve tregon se në disa vendvotime me shumicë maqedonase, numri i votave për listën e këshilltarëve të LSDM-së përkon pothuajse plotësisht me numrin e votave për kandidatin e AKI-së, një përputhje që sugjeron mobilizim të qëllimshëm elektoral për ta mbajtur në garë.
I gjithë procesi elektoral në Strugë mori një nuancë ironike për shkak të mënyrës se si AKI zhvilloi fushatën, e cila u karakterizua nga gjuha nacionaliste dhe patriotizmi folklorik. Megjithatë, edhe pse në asnjë moment nuk përfshiu publikisht qytetarët maqedonas në aktivitetet e fushatës, duket se për interesa personale ky subjekt arriti ti kalojë të gjitha barrierat nacionale.
Në përfundim, roli i Levicës në garën për Strugën ngre pikëpyetje serioze mbi ndërhyrjet e fshehta politike dhe kalkulimet ndërpartiake që e penguan ndryshimin të ndodhte menjëherë. Struga, edhe pse votoi qartë për ndryshim, u bë viktimë e një skenari të mirëmenduar, ku interesat e partive u vendosën mbi vullnetin e qytetarëve./ Gjurme
















