Connect with us

Lajme

Sfida e Tiranës: Rama portokallik përballë Ramës politik

Publikuar

Përfundimisht, humoristi Florian Binaj do jetë kandidati i PD-së për Bashkinë e Tiranës. Ky personazh i Portokallisë që ka imituar e imiton rregullisht Edi Ramën, dikur admirues i tij e më pas i zhgënjyer nga ai, vitet e fundit është angazhuar në median televizive të opozitës, Syri TV, duke moderuar një emission investigativ. Pos kësaj, ka bërë dhe rolin e aktivistit në protesta kundër qeverisë. Tashmë do e provojë veten në politikë direkte.

Ishte vetë Berisha ai që bëri publik emrin e Binajt si kandidat përballë Ogerta Manastirliut.

“Jam sot këtu për t’u informuar ju dhe qytetarët e Tiranës, dhe mbarë Shqipërisë, se midis kandidaturave shumë të mira që kanë ardhur direkt nga drejtues dhe personalitete të PD, tashmë të bëra publike, për të cilat unë kam vlerësimin më të madh, kandidaturave realisht të personaliteteve të pavarura nga fusha të ndryshme, nga Shqipëria dhe nga diaspora, PD duke falënderuar me mirënjohje secilin prej atyre që vendosi të paraqesë kandidaturën e tij në shërbim të qytetarëve të Tiranës dhe përballjen me të keqen e këtij vendi, që është Edi Rama, informon se grupi i mandatuar nga PD do u paraqesë aleatëve tanë mendimin dhe sugjerimin që të mbështesim së bashku artistin e mirënjohur, personalitetin e shquar të artit, luftëtarin e paepur të kauzave të qytetarëve shqiptarë, komunikatorin e talentuar, e lindur, zotin Florjan Binaj”.

Dhe ironia e kësaj përzgjedhjeve është vlerësimi i Edi Ramës për imituesin e tij, bërë pesë vite më parë për ditëlindjen e tij:

“Florjan Binaj është një djalë king, me botë të bukur, i talentuar dhe i edukuar, që mes plot talenteve të ekranit të vogël ka spikatur me sozinë time në shfaqjen më popullore e më kreative televizive sipas meje, Portokallia e rekordeve të frikshme të audiencës televizive!

Duke i uruar sozisë time gazmore ditëlindjen dhe shëndetin, forcën krijuese e çdo mirësi e mbarësi për veten e për të dashurit e vet, uroj njëkohësisht që energjitë pozitive të Florit e të kolegëve të tij të talentuar të çdo ekrani, ta ushqejnë sa më mirë publikun në këtë kohë posaçërisht sfiduese për të gjithë”, shkruante kryeministri, i cili tashmë duhet të “kafshojë gjuhën” për fushatë ndaj tij.

Kujtojmë se Binaj nuk është i vetmi portokallist që ka kaluar në politikë, ose ose në drejtim qyteti si kryebashkiak. Para tij është Erion Isaj, aktori që ka marrë drejtimin e Ersekës nën siglën e PS-së. Ndërsa më i famshmi humorist i shndërruar në politikan është Volodimir Zelenesky, presidenti i Ukrainës, i cili u bë i famshëm pikërisht me një telekomedi të titulluar “Presidenti”, ku vetë ai pra lunate rolin e një presidenti. /tesheshi.com/