Maqedoni
Reagon Akademia e FC Shkupit: “Pse po anashkalohen talentet tona?”

Në Akademinë e FC Shkupit janë të zhgënjyer me qasjen e seleksionuesve të kombëtareve të moshave në Maqedoni. Klubi shpreh habinë që asnjë lojtar nga shkolla e tij e futbollit nuk është ftuar në grumbullimet e fundit të përfaqësueseve U17, U18 dhe U19, pavarësisht rezultateve të mira dhe punës së vazhdueshme që bëhet çdo ditë.
“Është për t’u habitur fakti që asnjë lojtar nga akademia jonë nuk është përfshirë në listat e kombëtareve të moshave. Në ekipin e parë të Shkupit shihet qartë cilësia dhe përkushtimi që ekziston në çdo nivel të klubit, ndërkohë që ndryshimet e shpeshta të seleksionuesve po ndikojnë negativisht në vazhdimësinë e përzgjedhjes,” – thuhet në reagimin e Akademisë.
Nga FC Shkupi kujtojnë se vite me radhë kanë nxjerrë lojtarë që sot luajnë në nivele të larta brenda dhe jashtë vendit, si:
Gazmend L. (Skënderbeu), Rol Hasani dhe Eldin R. (Gjilan U21), Andi L. (Rabotniçki), Jane C. (Spanjë), Furkan Hirda (Feronikel, Kosovë), Enis R. (Como, Itali U19), Maks Hodži (Koper, portier), dhe Ariton M. e Venis Enuz Koka (ekipi i parë i Shkupit).
Në reagim theksohet se shumë të rinj aktualë të akademisë – si Omeri, Sudjes, Daim, Besnik, Nijazia, Tarik, Shkëlqim, Kadri, Fisnik dhe Venis – janë futbollistë me potencial të madh që meritojnë vëmendje nga seleksionuesit kombëtarë.
“Nëse këta lojtarë nuk marrin mundësinë e duhur për t’u vlerësuar, rrezikojmë t’i humbim, ashtu siç ka ndodhur me shumë talente të tjerë më parë,” – theksojnë nga Akademia.
Po ashtu, në grupmoshat më të reja FC Shkupi përmend disa prej emrave që po spikatin, si Vullnet Ameti (U17), Anes Bajrami (U17), Rijat Murtezani (U18), Besar Fadil (U18) e të tjerë në U16, U15 dhe U14.
Në fund, Akademia apelon që seleksionuesit e kombëtareve të vëzhgojnë më afër punën që bëhet në akademitë vendore, sidomos në ato që kanë dhënë rezultate konkrete dhe kanë prodhuar kampionë e fitues kupash në disa gjenerata radhazi, si FC Shkupi.















