Lajme
Rama, rishpërthim dashurie ndaj Turqisë

“Duhen dy duar për të duartrokitur”, tha kryeministri Edi Rama në fjalën e tij përmes një videomesazhi drejtuar Forumit të Investimeve Shqipëri-Turqi që po zhvillohet në Tiranë, duke iu referuar një thënie të urtë të përbashkët për dy vendet tona.
“Sot, Shqipëria dhe Turqia, tha kryeministri Edi Rama përpara mbi 1500 investitorëve turq të pranishëm në forum, si dhe zëvendëspresidentit të Turqisë, Cevdet Yılmaz, janë pikërisht ato dy duar që duartrokasin së bashku, një histori miqësie që nuk njeh kthesa, një partneritet që forcohet çdo ditë dhe një horizont që hapet gjithnjë e më gjerë përpara nesh”.
Duke iu rikthyer një momenti kyç në marrëdhëniet dypalëshe, kryeministri kujtoi vendosjen e një objektivi të përbashkët me presidentin turk Recep Tajip Erdogan, një dekadë më parë, dyfishimin e shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve.
“Sot, jo vetëm që kemi arritur këtë synim, por e kemi tejkaluar,” tha Rama, duke vënë në dukje se nga një volum tregtar prej 250 milionë eurosh, sot është kaluar mbi një miliard euro vetëm në nëntë muajt e parë të vitit.
“Nga 300 sipërmarrje me kapital turk”, vijoi kryeministri, “sot në Shqipëri numërohen mbi një mijë, ndërsa nga disa qindra punonjës në kompani turke, sot janë mbi 15 mijë qytetarë shqiptarë të punësuar në to”.
“Por më shumë se numrat, ajo që ka vlerë është fryma. Është dëshira, besimi dhe sensi i përkatësisë në një miqësi që ka ndërtuar këtë lidhje të fortë mes nesh. Një frymë bashkëpunimi që prodhon rezultate”, nënvizoi Rama.
Në vijim, Kryeministri e cilësoi Shqipërinë si portën më të afërt të Turqisë drejt Bashkimit Europian dhe një partner të qëndrueshëm në fushat e sigurisë, energjisë, turizmit dhe teknologjisë.
Ai theksoi se qeveria shqiptare është më shumë sesa një qeveri mike, është një partnere strategjike e një aleance të fortë me Turqinë, e gatshme të mikpresë, të dëgjojë dhe të garantojë çdo investim që kthehet në një histori suksesi.
“Ne hodhëm një hap të madh para dhjetë vitesh, dhe sot shohim sesa shumë kemi ecur përpara. Kemi ndërtuar një urë, e kemi hedhur këmbën në të ardhmen dhe objektivi ynë tani është që të dyfishojmë sërish shkëmbimet tona tregtare, duke ndërtuar një ‘autostradë suksesi’ midis Bosforit dhe Adriatikut”, theksoi kryeministri.
Ai nënvizoi se marrëdhëniet mes dy vendeve nuk janë thjesht marrëdhënie ekonomike, por një lidhje vëllazërie, besimi dhe bashkudhëtimi drejt së ardhmes.
“Ura që sot lidh Stambollin me Tiranën është më e fortë se kurrë. Ura që lidh Ankaranë me Shqipërinë zyrtare është më solide se kurrë. Është një urë që përshpejton lidhjen tonë me Perëndimin përmes Korridorit 8 dhe portit të ri të Durrësit, por edhe një urë që lidh historinë me të ardhmen, kujtimet e përbashkëta me ambicien për të nesërmen”, u shpreh Rama. /atsh/






















