Religjion
Pushteti e mbulon mjerimin dhe varfërinë e pushtetarëve politikë

Ed’hem Sherkavi
Muhamed Kurd Ali në kujtimet e tij thotë: “Më ka treguar një burrë që ishte në kontakt me një nga sundimtarët e Lindjes, se e kishte parë atë, kur e kishte humbur mbretërinë e tij; se ishte bërë si një fëmijë, dhe se kujtesa e tij dhe mënyra e tij e të menduarit i ishin dobësuar plotësisht.”
Unë i thashë: “Ai ka qenë gjithmonë i tillë, vetëm se pushteti i tij e fshehte.”
Pozitat i zbukurojnë mbajtësit e tyre, dhe shpesh ndodh që një njeri “i vogël” të ulet në një karrige të madhe, dhe askush të mos e vërë re madhësinë e tij të vërtetë, sepse karriga me madhështinë dhe “autoritetin” e saj e largon vëmendjen e njerëzve nga identiteti i vërtetë i atyre që ulen në të. Megjithatë, sapo të largohen nga ajo karrige, zbulohet paaftësia e tyre, del në dritë kufizimi i tyre, shfaqen dobësitë e tyre dhe varfëria e përmbajtjes së tyre.
Lapsat janë mjete të forta të blinduara pas të cilave fshihen njerëzit. Shumë fjalë për asketizmin nuk janë shkruar nga asketët dhe të devotshmit, kurse shumë poezi për dashurinë janë vepër e atyre që janë larg saj. Shumica e fjalimeve të hajdutëve kanë të bëjnë me ndershmërinë, dhe sa herë tradhtarët kanë folur për besnikërinë. Shpesh ankohen ata që kanë një mijë fytyra se njerëzit mbajnë maska, prandaj mos lejoni që fjalët e tyre t’ju mashtrojnë dhe t’ju gënjejnë.
Xhahidhi ka thënë: “Poeti Ferezdek (641-728) ishte femëror, por nuk shkroi asnjë varg për këtë, ndërsa Xheriri (653-728) ishte i ndershëm dhe i moralshëm, por ishte poet i pakapërcyeshëm për dashurinë.”
Një lojtar hero që mbartet në supe dhe ngjitet në podiumet e fitores, nuk është domosdoshmërisht hero edhe në jetë. Ka heronj që njerëzit i kanë mbajtur në supe, ndërsa ata që i njihnin mirë dëshironin t’i shkelnin me këmbë. Shumë nga ata që përmes rrjeteve sociale na mësojnë si të jetojmë, kanë jetë të mjerueshme.
Nuk është ai që lë përshtypje të mirë për shkak të pozicionit, lapsit dhe famës së tij domosdoshmërisht edhe njeri i mirë. Dhe nuk është ai që e konsiderojmë njeri të keq për shkak të pamjes së jashtme, vërtet i keq ashtu siç duket. Ka shumë mëkatarë që e duan Allahun dhe të Dërguarin e Tij (savs), por shejtani i ka mposhtur, dhe fara e së mirës ka mbetur tek ata. Ata kanë bërë mëkat ndaj vetes, por nuk i kanë bërë mëkat askujt tjetër.
Në Damask, gjatë halifatit Osman, imami i xhamisë, e cila ndodhej afër tregut, vuri re se hapësira e xhamisë ishte bërë e ngushtë, prandaj mbajti një hutbe dhe i ftoi tregtarët e pasur që të dhuronin para, por asnjë nga tregtarët që ishin në namazin e xhumasë nuk dhuroi asnjë dirhem.
Kur doli nga xhamia, i zemëruar, e takoi një tregtar i pasur me tekstile dhe pijanec, i cili e pyeti për arsyen e zemërimit të tij. Imami ia shpjegoi arsyen e zemërimit të tij, kështu që tregtari thirri punëtorin e tij të sillte një qese me para (në atë kohë paratë ishin në ar), dhe ai vetë pagoi koston e zgjerimit të xhamisë. Imami mori paratë dhe u nis.
Atëherë tregtari i tha: “Lute Allahun që të më udhëzojë!”
Ndërsa imami u përgjigj: “Kam frikë se mos bëhesh si këta tregtarë që nuk dhanë asgjë për zgjerimin e xhamisë.”
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)























