Lajme
“Piroku foli fuqishëm” – fshati që i dha fitoren VLEN-it në Bogovinë

Në zgjedhjet lokale të mbajtura dje, fshati Pirok ka sjellë një befasi të këndshme për koalicionin VLEN, duke i dhënë avantazh të ndjeshëm kandidatit të tyre për komunën e Bogovinës, Feti Abazi.
Sipas rezultateve të publikuara nga shtabi i VLEN-it, në Pirok ky koalicion ka marrë 987 vota, ndërsa koalicioni AKI është renditur i dyti me 717 vota. Kjo epërsi prej më shumë se 250 votash ka rezultuar vendimtare në balancimin e përgjithshëm të garës.
Në të gjithë komunën e Bogovinës, kandidati i VLEN-it, Feti Abazi, ka siguruar gjithsej 5.295 vota, përballë 5.207 votave të kundërkandidatit të tij. Kjo diferencë e ngushtë ka çuar garën drejt raundit të dytë, i cili do të zhvillohet më 2 nëntor, shkruan Zyrtare.net
Për këtë rezultat ka reaguar edhe sekretari shtetëror dhe përfaqësuesi i koalicionit VLEN nga Piroku, Fatmir Sabriu, i cili në një postim në rrjete sociale ka shkruar:
“Piroku foli fuqishëm! Faleminderit nga zemra çdo bashkëfshatari tim për besimin, dashurinë dhe përkrahjen e madhe që ia dhatë VLEN-it.
Sot nuk është vetëm një fitore politike – është fitore e dinjitetit, e bashkimit dhe e besës që na bashkon si një familje.
Krenohem që vij nga një fshat që di të vlerësojë punën dhe të zgjedhë drejt.
Ju dua shumë, Pirokas!”, shkroi Sabriu pas përfundimit të numërimit të votave mbrëmë.
Sipas burimeve nga shtabi i VLEN-it, rezultati i Pirokut ka qenë ndër faktorët kryesorë që e kanë çuar kandidatin e tyre në raundin përfundimtar, duke dëshmuar se ky fshat vazhdon të ketë një peshë të rëndësishme në ekuilibrat politikë të komunës së Bogovinës.
















