Lajme
Para Clarkut, një tjetër amerikan do të dëshmojë pro UÇK-së në Hagë

Para ish-komandantit të NATO-s, Wesley Clark, në Hagë në anën e mbrojtjes do të paraqitet një tjetër amerikan. “1DW-008” është kodi i tij dhe i njëjti do ta paraqitet në Gjykatën Speciale javën e dytë të nëntorit. Siç bëri me dije mbrojtja, pa përmendur identitetin e dëshmitarit, ky i fundit ka ende obligime në Shtetet e Bashkuara të Amerikës andaj do të jetë i disponueshëm vetëm pas 10 nëntorit.
DOKUMENT:

“1DW-008 ka detyrime profesionale në Shtetet e Bashkuara, si rezultat i të cilave ai nuk është në gjendje të udhëtojë para datës 9 nëntor 2025, dhe për këtë arsye mund ta fillojë dëshminë e tij vetëm gjatë javës që fillon më 10 nëntor 2025”, theksoi mbrojtja e ish-presidentit Thaçi në shkresën e saj.
Deklaratat e “1DW-008” të dhëna gjatë një intervistë në gazetën “Zëri”, tanimë janë propozuar për listën e provave. Siç bëhet me dije nga një vendim i Trupit Gjykues, ky dëshmitar do të rrëfejë për një sërë çështjesh të rëndësishme që lidhen me zhvillimet në vitet 1998 dhe 1999 si dhe involvimin e Shtetetve të Bashkuara të Amerikës në to.
“Materialet e 1DW-008 lidhen me përvojat e dëshmitarit në Kosovë gjatë viteve 1998 dhe 1999, me rolin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, si dhe me ndërveprimet e dëshmitarit me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), në veçanti me z. Thaçi”, thekson paneli.
DOKUMENT:

E para Clark, dëshminë në gjykatore do ta japë edhe një tjetër personalitet, nacionaliteti i të cilit ende nuk dihet. Ai planifikohej që të dilte para Panelit gjatë javës së 3 nëntorit, megjithatë gjërat kanë ndryshuar ndërkohë dhe ai pritet të jetë prezent tek pasi dëshmitari “1DW-008” të përfundojë paraqitjen në Hagë. Kësisoj, nuk pritet të ketë seancë as javën e 3 nëntorit.
I pari që dëshmoi në anën e UÇK-së ishte ish-ndihmëssekretari Amerikan i Shtetit gjatë kohës së luftës në Kosovë, James Rubin.
Pas tij, dëshmoi Paul Williams, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Rambuje. I treti ishte John Duncan, ish-këshilltar i Clark-ut dhe i katërti ishte Jock Covey, zëvendëskryeadministrator i Kosovës nga viti 1999 deri më 2001./Burimi VoxKosova/


















