Connect with us

Religjion

Namazi është burimi i begative të panumërta

Publikuar

Duke e studiuar me vëmendje atë që Kurani dhe hadithet e Pejgamberit (a.s.) thonë për namazin dhe për namazliun, ata kanë renditur nëntë begati të mëdha që burojnë nga namazi:

1. Namazliu do ta dojë Allahun e Madhëruar.

2. Allahu do t’i dhurojë namazliut shëndet.

3. Namazliun do ta ruajnë melekët.

4. Namazliu do të ketë bereqet në shtëpi.

5. Fytyra e namazliut do të ndriçohet me dritë.

6. Namazliu do të jetë i mëshirshëm.

7. Namazliu do ta kalojë me shpejtësi dhe siguri urën e Siratit.

8. Namazliu do të shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit.

9. Namazliu, në Ditën e Gjykimit do të jetë në mesin e të zgjedhurve që nuk do të frikësohen e as do të jenë në pasiguri.

1. Namazliu do ta dojë Allahun e Madhëruar

Ai bie në sexhde vetëm për Të dhe i përkulet vetëm Atij. Për hir të Allahut ngrihet nga shtrati i ngrohtë për ta falur sabahun, e falënderon Allahun për një ditë të re dhe gjatë gjithë ditës qëndron i kujdesshëm ndaj namazit. Në këtë mënyrë ai e fiton dashurinë e Allahut, sepse namazi e ruan nga e keqja dhe e largon nga mëkati. Namazi është forma më e lartë e nënshtrimit ndaj Allahut, dhe ky nënshtrim plotësohet duke i zbatuar urdhrat e Tij dhe duke i braktisur mëkatet. Namazi është mburojë nga mëkati dhe dëshmi e dashurisë ndaj Allahut – sepse kush e do dikë, nuk dëshiron ta lëndojë. namazliu e do Allahun dhe këtë dashuri e vërteton duke ua kthyer shpinën mëkateve, ndërsa namazi e ndihmon në këtë rrugë.

2. Namazliut Allahu i dhuron shëndet

Ky shëndet nuk është vetëm fizik, por edhe shpirtëror. Njeriu është trup dhe shpirt njëherësh. Mjekët i kanë studiuar aspektet mjekësore të abdesit dhe të lëvizjeve në namaz dhe kanë treguar se asgjë prej tyre nuk është e rastësishme. Xhibrili ia mësoi Pejgamberit a.s. mënyrën e saktë të faljes, dhe çdo gjë që Allahu na urdhëron është e mirë për ne. Shëndeti i shpirtit është themel për shëndetin e trupit. Pa ekuilibër midis trupit dhe shpirtit, njeriu nuk mund të jetë i shëndetshëm. Namazi e vendos këtë ekuilibër, ai është terapia e shpirtit, që sjell qetësi mendore dhe paqe të brendshme. Kush e ruan shëndetin e shpirtit, nuk e dëmton trupin me harame, sepse harami dhe namazi nuk mund të qëndrojnë bashkë. Kështu, përmes namazit, namazliu gëzon shëndet të plotë.

3. Namazliun e ruajnë melekët

Secilin njeri e shoqërojnë melekët shkrues – “Kiramen katibine ja’lemune ma tef’alun” – “Shënues të nderuar, që dinë gjithçka që bëni” (el-Infitar, 11–12). Me namazliun janë edhe melekët mbrojtës: “Ve inne ‘alejkum lehafidhin” – “Dhe mbi ju ka rojtarë (që ju vëzhgojnë)” (el-Infitar, 10). Kur falemi, melekët janë me ne, janë pjesë e xhematit tonë. Kur je namazli, meleku është rojtari yt. Qëndro në namaz – dhe melekët janë pranë teje. Ji i vazhdueshëm në namaz – dhe melekët janë mbështetja jote.

4. Namazliu do të ketë bereqet në shtëpi

Besimtari e di se pasuria e vërtetë nuk është në sasinë e pasurisë materiale, ndonëse ajo është e nevojshme. Nuk i është ndaluar të zotërojë, por i është ndaluar ta adhurojë pasurinë. besimtari e di se pasuria e shpirtit është pasuria më e madhe – siç thotë Pejgamberi (a.s.): “Bamirësia dhe kënaqësia janë pasuria e vërtetë.” Ç’vlerë ka pasuria kur shpirti është bosh, kur njeriu endet në errësirë pa e njohur kuptimin e jetës? Hazreti Omeri (r.a.) ka thënë: “Fuqia e kësaj bote fitohet me pasuri, ndërsa fuqia e botës tjetër fitohet me vepra të mira.” Besimtari ka të drejtë për të dyja fuqitë – që të jetë i fortë në këtë botë, por gjithnjë ta kujtojë se jeta ka kuptim vetëm nëse me të e fiton botën tjetër. Namazi e forcon njeriun çdo ditë që të ecë me dinjitet në këtë botë dhe që ta arrijë shtëpinë e lumturisë në botën tjetër.

5. Fytyra e namazliut do të ndriçohet me dritë

Pejgamberi (a.s.) na mëson se abdesi nuk e pastron vetëm papastërtinë trupore. Abdesi n pastron edhe nga mëkatet. Me çdo pikë uji që rrëshqet nga trupi, pastrohen edhe mëkatet tona. Mëkati e nxin shpirtin, ndërsa fytyra dhe sytë pasqyrojnë gjendjen e shpirtit. Kur shpirti ndriçohet me dritën e Zotit të dritave, edhe fytyra bëhet e ndritshme. Namazliu pesë herë në ditë i drejtohet dritës, flet me dritën, kërkon dritë – dhe është e natyrshme që një njeri i tillë të rrezatojë dritë, të ketë fytyrë të qetë dhe shpirt të ndriçuar.

6. Namazliu do të jetë i mëshirshëm

Në çdo rekat ai i drejtohet të Gjithëmëshirshmit, e falënderon Rrahmanin dhe Rrhimin. Ai është i vetëdijshëm se asnjëherë nuk mund të shpaguajë mirësitë e Allahut, prandaj përpiqet me gjithë zemër që të fitojë mëshirën e Tij. Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “In terham turham” – “Nëse jeni të mëshirshëm, Allahu do t’ju mëshirojë juve.”

Namazliu është i mëshirshëm ndaj çdo krijese që e rrethon – edhe ndaj bimës, të cilën nuk e shkatërron, as vendin e saj nuk e dëmton. Le të ndalemi pak dhe ta pyesim veten: Ne a jemi të tillë? A e shohim në çfarë gjendjeje e kemi mjedisin tonë? Plehra e papastërti kudo – një turp që vetë e kemi krijuar. Në Ditën e Gjykimit gjithçka do të dalë në shesh dhe do të turpërohemi për pakujdesinë tonë. Le të ndikojë namazi që të bëhemi vërtet të kujdesshëm dhe të mëshirshëm ndaj çdo jete që ndan hapësirën me ne. Namazliu është i mëshirshëm ndaj të gjithëve, sepse është i vetëdijshëm për vogëlsinë e vet përballë madhështisë së Allahut, të Cilit çdo ditë i thotë me përulësi: Allahu ekber! – Allahu është më i Madhi.

7. Namazliu do ta kalojë me shpejtësi dhe siguri urën e Siratit

Sa më shumë ta mbushim jetën me vepra të mira, aq më të lehtë do të jenë hapat tanë drejt portave të Xhenetit. Ndër veprat më të rëndësishme që njeriu bart për në botën tjetër është namazi. Ai është i pari për të cilin do të pyetemi. Kush për dashurinë e Allahut është zgjuar nga gjumi për ta falur sabahun dhe ka qenë i qëndrueshëm në namaz, në Ditën e Gjykimit do ta kalojë urën e Siratit me shpejtësinë e vetëtimës dhe do të vendoset në vend të sigurt. Kush në këtë botë me namaz i ikën mëkatit dhe i shëron plagët e shpirtit, në botën tjetër do të arrijë me lehtësi te strehimi i tij – Xheneti.

8. Namazliu do të shpëtojë nga zjarri i Xhehenemit

Pejgamberi (a.s.) ka thënë: “Çelësi i Xhenetit është namazi, e çelësi i namazit është pastrimi.” (Musnedi i Imam Ahmedit) Ndërsa Aliu (r.a.) transmeton: “Fjalët e fundit të Pejgamberit (a.s.) ishin: ‘Namazi! Namazi! Kini frikë Allahun dhe kujdesuni për ata që janë nën kujdesin tuaj.’” (Ebu Davudi) Kush dëshiron mbrojtje nga Zjarri, çdo ditë me abdes, me namaz e shuan zjarrin e mëkateve dhe e përgatit çelësin e Xhenetit, duke u bërë pasues i Pejgamberit (a.s.), të cilin ai do ta njohë në Ditën e Gjykimit përmes gjurmëve të abdesit dhe namazit.

9. Namazliu, në Ditën e Gjykimit do të jetë në mesin e atyre që nuk do të frikësohen e as do të jenë në pasiguri

Transmetohet nga Ubade bin Samiti (r.a.) se ai e ka dëgjuar Pejgamberin (a.s.) duke thënë: “Allahu i Madhëruar i ka bërë pesë namazet obligim për umetin tim, andaj kush merr abdes siç duhet dhe i fal në kohë me përulësi, Allahu është zotuar se do t’ia falë mëkatet, ndërsa kush i lë pas dore, Allahu nuk i premton asgjë.” (Ebu Davudi)

O Allahu i Lartësuar, na ndihmo që të mos jemi në pasiguri kur të takohemi me Ty! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

(Islampress)