Religjion
Madhështia e vërtetë njerëzore shihet në kohë provash dhe sfidash të mëdha

Shejh Muhamed el-Gazali
Njerëzit e mëdhenj shpesh i kanë aftësitë dhe virtytet e tyre të mbuluara me një perde të qetësisë dhe tërheqjes së largët, derisa ndodh një ngjarje e madhe dhe vendimtare, ashtu që raporti i tyre me këtë ngjarje shënon fillimin e zbulimit të tyre për njerëzit, ashtu siç shfaqet Hëna e plotë pasi retë shpërndahen.
Hazreti Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) nuk ishte figurë e panjohur, që një ngjarje ta bënte të njohur. Përkundrazi, ai ishte njeri i njohur për disa cilësi që zbukurojnë madhështinë e vërtetë njerëzore.
Megjithatë, kur ndodhën ngjarjet e murtedëve (atyre që heqin dorë nga Islami), në fytyrën e Ebu Bekrit shkëlqyen rrezet e vendosmërisë, guximit dhe qëndrueshmërisë – virtyte që ishin në harmoni me cilësitë e tjera të tij të njohura, si durimi, dinjiteti, bujaria dhe butësia.
Me këto fjalë të shkurtra hyrëse, përpiqemi – me përulësi të madhe – të paraqesim diçka nga veprat madhështore të besimit të Ebu Bekrit përballë ngjarjeve të mëdha.
Me të kthyer i Dërguari i Allahut (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) te Zoti i Tij, arabë masovikisht braktisën Islamin. Ata menduan se rërat e shkretëtirës së Gadishullit Arabik do të bëheshin sërish arenë tragjedish dhe poshtërimesh, si në kohën para Islamit.
Muhaxhirët dhe ensarët e parë e ndien seriozitetin e situatës dhe panë rrezikun që kërcënonte Medinën dhe muslimanët në të, nga bandat e beduinëve rebelë dhe ushtritë e atyre që refuzuan të jepnin zekatin pas vdekjes së Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të).
Përveç kësaj, midis muslimanëve të Medinës dhe ushtrisë së Usamës, që marshonte drejt Shamit për ta zbatuar urdhrin e Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të), ishte një distancë e madhe. Përveç Medinës, Islamit i kishin mbetur vetëm Mekka dhe Taifi si kështjella të qëndrueshme.
Këto dy qytete (Meka dhe Taifi) mbetën të qëndrueshme në Islam, edhe pse kurejshitët dhe fisi Thekif nga Taifi ishin të fundit që pranuan Islamin. Megjithatë, në atë moment, kjo qëndrueshmëri nuk ishte shumë e dobishme për muslimanët e Medinës, sepse fiset që braktisën Islamin nga Abs, Dhubjan, Esed dhe Kinane ishin mbledhur për ta sulmuar kryeqytetin e Islamit.
Kur halifi i parë i drejtë i muslimanëve, Ebu Bekër es-Siddiku (Allahu qoftë i kënaqur me të), ndjeu tradhtinë nga këto fise arabe, ai i mblodhi muslimanët e Medinës në xhaminë e Pejgamberit. Muslimanët e mbledhur e dëgjuan Ebu Bekrin duke shpjeguar planin e mbrojtjes dhe duke caktuar detyra për secilin prej tyre, duke kërkuar prej tyre që ose t’i përmbushnin këto detyra ose të vdisnin.
Ai e shpërndau këtë ushtri të vogël në portat e qytetit dhe në zonat ose drejtimet e sulmit të mundshëm të armikut. Ai xhaminë e ktheu në kamp ushtarak, nga ku dërgonte përforcime në frontet ku presioni ishte më i madh dhe ekzistonte frika se ushtria e renegatëve mund të depërtonte në qytet. U bë natë. Muslimanët qëndruan në pozitat e tyre dhe pritën, ndërsa beteja ishte çështje kohe.
Hazreti Ebu Bekri hipi mbi devenë e tij dhe patrullonte mes grupeve të ushtrisë muslimane, ndërsa luginat përreth Medinës jehonin me tekbire. Ushtarët muslimanë, që ishin të stacionuar në xhaminë e Pejgamberit si ndihmë, e lanë atë për të ndihmuar vëllezërit e tyre muslimanë, dhe përleshjet mes besimtarëve dhe renegatëve vazhduan gjatë gjithë natës. Me të lindur dielli, Allahu u dha fitoren muslimanëve, Medina u shpëtua dhe renegatët u tërhoqën.
Kjo fitore kishte një rëndësi të veçantë, sepse renegatët kuptuan se Medina ishte jashtëzakonisht e mbrojtur dhe e pamposhtur përballë një ushtrie si ajo e Ebu Bekrit dhe shokëve të tij. Halifi Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) e përdori me mençuri forcën që ishte në prag të shkatërrimit gjatë ditëve të provave të mëdha dhe sfidave të papritura.
Ebu Bekri ishte më i shpejtë se ata që synonin të krijonin përçarje dhe t’i shkatërronin radhët e muslimanëve. Ai u ngrit me besimin dhe imanin e tij, ashtu si një komandant i aftë që ngrihet në mes të një beteje të ashpër, duke bashkuar rreth vetes luftëtarët dhe ndihmuesit e sinqertë.
Ebu Bekri e fitoi betejën dhe e shpëtoi Medinën. Pas pak ditësh, ushtria e Usamës u kthye nga fushata e saj fitimtare, duke u dhënë muslimanëve të Medinës mundësinë të merrnin frymë lehtësisht.
Por, shumë shpejt, filloi një betejë e re, pasi njëmbëdhjetë fronte përçarjeje u hapën njëkohësisht. Plaga nga vdekja e Pejgamberit (paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të) ende nuk ishte shëruar, dhe në të gjitha anët e Gadishullit Arabik ishin grumbulluar grupe të devijuara që përpiqeshin të depërtonin në zemrën e Islamit për ta shkatërruar plotësisht.
Ebu Bekri (Allahu qoftë i kënaqur me të) mblodhi muslimanët dhe i udhëhoqi në një betejë vendimtare. Ai formoi njëmbëdhjetë brigada, secila me nga një komandant, dhe hapi njëmbëdhjetë fronte njëherësh.
Ditët kalonin dhe këto ushtri përballeshin me beteja të ashpra, duke vazhduar nga një betejë në tjetrën, derisa në fund erdhi ndihma dhe fitorja e Allahut dhe renegatët pësuan humbje të rëndë dhe poshtërim.
Është thënë: “Sado i gjatë të jetë rrugëtimi drejt qëllimit të dëshiruar, hapi i parë është më i rëndësishmi, dhe kjo është e vërtetë.”Megjithatë, hapi i parë mund të bëhet vetëm me vendosmëri të plotë dhe emocione të pjekura. Vetëm nxitjet e mëdha i motivojnë njerëzit të rrezikojnë dhe t’i përballojnë vështirësitë.
Gjerat nuk janë në vetvete as të mëdha, as të vogla – ato varen nga sytë e frikacakëve apo guximtarëve që i shikojnë, siç ka thënë poeti el-Mutenebi: “Frika nuk është gjë tjetër veçse ajo që tremb një trim, kurse siguria nuk është tjetër veçse ajo që një trim e sheh si të sigurt.”
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)























