Connect with us

Lajme

Limani: Tani topin e përgjegjësive nuk e kam unë, për çdo skenar që ndodh me Kërçovën

Publikuar

Kandidati i VLEN për kryetar të Komunës së Kërçovës, Fatmir Limani, pas shpalljes së rezultateve të raundit të parë të zgjedhjeve lokale, ka reaguar përmes një postimi në rrjete sociale, ku ka vlerësuar se fitorja e VLEN-it në shkallë vendi është një lajm i madh për pluralizmin mes shqiptarëve.

Sipas tij, me këtë fitore është goditur monopoli politik, ekonomik e kriminal i ndërtuar prej vitesh nga një parti dhe një lider i vetëm. “U godit monopoli i interesave ekonomike e financiare, që i veshur me frazeologji patriotike, mbante në këmbë retorikën e tensionit në jetën publike”, ka theksuar Limani.
Ai shtoi se “referendumi” i shpallur nga kundërshtarët politikë për “mbrojtjen e shqiptarëve” ka dështuar, sepse qytetarët nuk ranë pre e politikës së frikës e tensioneve.

Lidhur me rezultatin në Kërçovë, Limani tha se humbja e tij është pasojë e investimit masiv të grupeve të interesit që nuk mund ta lejonin humbjen në këtë komunë për shkak të peshës simbolike që ajo ka.

“Nëse do të humbnin në Kërçovë, i ashtuquajturi ‘referendum’ do të pësonte debakël total. Kjo është arsyeja pse aty u investua gjithçka. Por, ai kandidat do ta kuptojë shumë shpejt se më mirë do të ishte të humbte me dinjitet sesa të fitonte duke hyrë në rrugën e ferrit”, ka shkruar ai.
Limani u shpreh se fushatën e tij e zhvilloi në frymë paqësore dhe bashkuese, duke e konsideruar fitoren e VLEN-it si përgjegjësi për të vazhduar punën për zhvillim, emancipim dhe bashkëjetesë dinjitoze.

Në fund, ai theksoi se tani përgjegjësia i takon të tjerëve, ndërsa ai mbetet i përkushtuar ndaj parimeve të tij. “Rinia mbi të gjitha, përfaqësimi i grave dhe përfshirja e profesionistëve në vendimmarrje”, tha ai.

NA NDIQ NË FACEBOOK