Lajme
Kasami takon qytetarët e Reçicës së Madhe dhe Teteks 1: Tetova vazhdon përpara

Kryetari aktual i Komunës së Tetovës dhe kandidati për një mandat të dytë nga koalicioni VLEN, Bilall Kasami, ka zhvilluar dy takime të rëndësishme me qytetarët në Reçicën e Madhe dhe në lagjen Teteks 1, duke theksuar vazhdimësinë e projekteve zhvillimore dhe vizionin për një Tetovë më moderne dhe evropiane.
Përmes një statusi në Facebook, Kasami ndau përshtypjet nga tubimi me banorët e Reçicës së Madhe, ku u prit me pjesëmarrje të madhe dhe atmosferë entuziaste:
“Reçica e Madhe e vendosur për Tetovën që vazhdon përpara. Kënaqësi t’i takoj banorët e Reçicës së Madhe, ku prezantova punët që janë bërë dhe planet për mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Prezenca e madhe në këtë tubim na jep sigurinë se Tetova e ka kuptuar se ka vetëm një opsion që ia do të mirën këtij qyteti.”
Ndërsa për lagjen Teteks 1, Kasami theksoi transformimin e zonës gjatë mandatit të tij të parë dhe vlerësoi mbështetjen e qytetarëve për rrugën e zhvillimit të vazhdueshëm:
“Lagjja Teteks 1 fuqishëm për Tetovën evropiane. Atmosferë fitoreje në Teteks 1, lagje e cila u transformua gjatë mandatit tonë të parë, ashtu si e gjithë Tetova. Fitore e Madhe më 19 tetor, sepse nuk ka rrugë tjetër për Tetovën. Vazhdojmë përpara dhe nuk kthehemi më asnjëherë në të kaluarën e zymtë të shkatërrimit.”
Të dy takimet treguan mbështetjen e fortë që Kasami po gëzon në prag të zgjedhjeve të 19 tetorit dhe reflektojnë angazhimin e tij për projekte konkrete, transparencë dhe zhvillim të qëndrueshëm për qytetarët e Tetovës.















