Lajme
Kasami takon banorët e Teteks 2 dhe Jashtë Vardarit: Tetova vazhdon përpara

Kryetari i Komunës së Tetovës dhe kandidati për një mandat të ri, Bilall Kasami, ka vazhduar takimet me qytetarët në kuadër të fushatës zgjedhore. Mbrëmë ai është takuar me banorët e lagjeve Teteks 2 dhe Jashtë Vardarit, në një atmosferë që e ka cilësuar si “të jashtëzakonshme”.
Në postimin e tij në rrjetet sociale, Kasami ka theksuar se këto takime dëshmojnë besimin e qytetarëve në punën e deritanishme të administratës komunale.
“Ky tubim ishte dëshmia e besimit që qytetarët kanë në punën tonë. Ishte zëri i qytetarëve që thonë me bindje se Tetova nuk kthehet më pas, por vazhdon të ecë përpara,” – ka shkruar ai.
Kasami ka rikujtuar se gjatë katër viteve të fundit komuna ka realizuar projekte konkrete që, sipas tij, kanë sjellë zhvillim dhe përmirësim të jetës për qytetarët.
“Në këto katër vite, kemi dëshmuar se zhvillimi është i mundur, me projekte konkrete, me punë të ndershme dhe me vendime që i shërbejnë qytetarëve. Por rruga jonë nuk ndalet këtu,” – ka shtuar ai.
Në fund, Bilall Kasami ka ftuar qytetarët që më 19 tetor të votojnë për “vazhdimin e zhvillimit” të Tetovës.
“E kemi mundësinë që bashkë Tetovën ta çojmë edhe më lart,” – ka përfunduar ai.












