Connect with us

Shqipëri

Kamala Harris: Jam e hapur të rikthehem në politikë, SHBA do ketë një presidente femër

Publikuar

Ish-zëvendëspresidentja e SHBA-së, Kamala Harris ka deklaruar hapur se po e konsideron një kandidim të ri për Shtëpinë e Bardhë, duke theksuar se “nuk e ka mbyllur” me politikën.

Në një intervistë për BBC-në, Harris është pyetur nëse do të jetë ajo gruaja e parë presidente e SHBA-së.

“Mbase,” u përgjigj ajo, duke lënë të hapur mundësinë për një garë të re presidenciale.

Ajo theksoi se nipat e saj do të shohin një presidente femër gjatë jetës së tyre.

Harris përsëriti paralajmërimet e saj të fushatës, duke thënë se Donald Trump po sillet si fashist dhe po përdor institucionet federale për qëllime politike.

Si shembull, ajo përmendi pezullimin e komedianit Jimmy Kimmel nga ABC pas një shakaje për vdekjen e Charlie Kirk.

“Ai nuk duron dot një shaka – dhe u përpoq të mbyllë një organizatë mediatike të tërë,” tha Harris.

Ajo kritikoi gjithashtu liderët e biznesit dhe institucionet që, sipas saj, janë përkulur para Trumpit për interesa personale.

Po Pse humbi?

“Fillova shumë vonë”, thotë Harris, e cila pranoi se fushata e saj 107-ditore – pas tërheqjes së Joe Bidenit – ishte shumë e shkurtër për të komunikuar qartë mesazhin.

“Nëse do kisha më shumë kohë, do të kisha folur më shumë për çështjet e përditshme – strehimi, kujdesi për fëmijët, puna,” tha ajo.

Megjithatë, ajo theksoi se dallimi në votën popullore ishte vetëm 2%, edhe pse u mund në Kolegjin Zgjedhor.

Zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Abigail Jackson e quajti intervistën si “ankesa absurde” dhe tha: “Kur Kamala Harris humbi me një diferencë të madhe, duhej të kishte kuptuar sinjalin – popullit amerikan nuk i interesojnë gënjeshtrat e saj.”

Harris sapo ka botuar librin “107 Ditët”, kujtimet e fushatës së saj të shpejtë.

“Nëse do të dëgjoja sondazhet, nuk do të kisha garuar kurrë për asnjë post – e lëre më të isha ulur këtu sot,” tha ajo.

Ndërsa demokratët kërkojnë përgjigje pas fitores bindëse të Trumpit një vit më parë, Harris refuzon të largohet nga skena – dhe lë të hapur mundësinë për një rikthim të madh.

The post Kamala Harris: Jam e hapur të rikthehem në politikë, SHBA do ketë një presidente femër first appeared on JavaNews.al.

NA NDIQ NË FACEBOOK