Religjion
Jeta pa nder është më e rëndë se vetë vdekja

Abdusamed Nasuf Bushatliq
Në këtë shkrim do të flasim për një cilësi që nuk njeh nënshtrim ndaj tiranisë, një cilësi që ushqehet nga besimi i sinqertë në Allahun – cilësi për të cilën sot Gaza i sfidon forcat e së keqes dhe të errësirës, ndërsa të tjerët heshtin. Kjo cilësi quhet guxim.
Në shumë shoqëri, guximi shpesh lidhet me burrërinë, me trupin muskuloz, me zërin e thellë dhe me pamjen e fuqishme të mashkullit. Por e vërteta është se guximi nuk është cilësi e rezervuar vetëm për burrat. Sa e sa burra të fuqishëm ka, të cilëve pamja u ngjall frikë tek ata që s’i njohin, ndërsa zemrat e tyre janë si zemra zogjsh të mbyllur në kafaz.
Ndërkaq, sa e sa gra ka, në butësinë, hijeshinë dhe qetësinë e të cilave fshihet një zemër luani, që nuk dorëzohet para sproves dhe që mbi supet e veta i bart barrët e tërë umetit.
Kurani na tregon për të Dërguarin e Allahut, Musain – alejhis-selam – i cili, me vullnetin e Allahut, i çliroi Benu Israilët, atëherë popullin më të dobët, dhe e shkatërroi sunduesin më të fuqishëm të kohës – Faraonin.
Por, prej nga e mori Musai, alejhis-selam, atë guxim dhe vendosmëri? Dhe si do të kishte qenë fati i tij po të mos kishte pasur një nënë me besim të sinqertë dhe me një trimëri që Allahu vetë e lavdëroi në Kuran?
Allahu i Lartësuar thotë: “Kështu, Ne e frymëzuam nënën e Musait: “Jepi gji atij dhe, kur të trembesh për sigurinë e tij, hidhe në lumë, pa pasur frikë dhe as dëshpërim. Me siguri që Ne do ta kthejmë ty atë dhe do ta bëjmë të dërguar.” (El-Kasas, 7)
Paramendoni atë skenë! Një nënë, me duart që i dridhen, mban në kraharor foshnjën e porsalindur dhe, mbi valët e Nilit, me zemrën që i digjet, e lëshon në ujë – sepse kështu e urdhëroi Allahu i Madhërishëm. Ky veprim nuk ishte akt dëshpërimi, por akt besimi të thellë dhe bindjeje të plotë. Nuk ishte shenjë dobësie, por dëshmi e dorëzimit të plotë ndaj Allahut.
Prandaj themi: nuk ishte rastësi që Musai, alejhis-selam, u ngrit përpara Faraonit dhe tiranisë së tij. Karakteri i tij, guximi i tij, zemra e tij e pathyeshme, u farkëtuan në prehrin e një gruaje që nuk njihte frikë – në zemrën e një nëne më të madhe se vetë lumi Nil. Musai, alejhis-selam, pati pas vete një nënë të jashtëzakonshme, të guximshme dhe të pathyeshme. Ai u rrit në prehërin e saj, për t’u bërë hero që sfidoi sunduesin më mizor të kohës së tij.
Sot, nënat e Gazës po e përsërisin atë histori. Kur bien bombat sioniste, nëna e Gazës me trupin e saj e mbulon fëmijën e vet. Dhe kur në një çast të vetëm sionistët i vrasin nëntë fëmijë, nëntë fryte të zemrës së saj, ajo nuk vajton, nuk mallkon fatin, por me thirrjen: “Hasbunallāhu ve ni‘mel-vekīl” – “Na mjafton Allahu, dhe Ai është mbrojtësi më i mirë!” – ajo ngrihet sërish, me krenari, me qëndresë dhe me guxim për ta vazhduar luftën kundër okupatorit sionist. Kur s’ka më ushqim, copën e fundit të bukës ia jep djalit të saj që të shkojë në front.
Kjo nuk është një grua e zakonshme. Kjo është muxhahide e pathyeshme. Kjo është shkëmb. Kjo është ummeti i tërë në një person, në figurën e gruas muslimane nga Gaza. Ajo është forca që i jep jetë umetit, guximi që nuk kërkon leje për t’u ngritur kundër padrejtësisë dhe shtypjes.
Në të kundërtën e grave muslimane të guximshme të Gazës, le të hedhim një vështrim te “burrat” muslimanë, ata që quhen udhëheqës të shteteve muslimane dhe prijës të umetit? Te ata që krenohen me titujt “rojtarë të haremeve”, “emirë”, “mbretër”?
Te ata që kanë ushtri me miliona ushtarë, rezerva të mëdha armësh, rafineri dhe satelitë, por nuk kanë as aq guxim sa t’i thonë pushtuesit dhe kriminelit sionist: “Ndalu!”
Derisa nëna në Gaza i varros nëntë fëmijët e saj, sundimtarët arabo-muslimanë garojnë kush do të nënshkruajë më shpejt marrëveshje me entitetin sionist dhe kush do të shfaqë më shumë “neutralitet” përballë gjenocidit kundër muslimanëve të Gazës.
Dhe derisa një grua jobesimtare, ish-ministre në qeverinë spanjolle, Irene Montero, me zë të lartë i thotë botës: “Izraeli dhe SHBA janë kërcënimi më i madh për botën. Ajo që Izraeli po i bën Palestinës nuk është luftë, por gjenocid. Turp të heshtësh përballë këtij krimi!”, — gojët e sundimtarëve arabo-muslimanë janë të mbyllura, ndërsa duart e tyre janë të përlyera me gjak për shkak të bashkëpunimit me okupatorin sionist.
Ata – sepse janë injorantë dhe frikacakë – nuk e dinë se heshtja e tyre do t’i varrosë, dhe se frikacakëria sjell turp dhe tradhti, ndërsa guximi i burrave dhe grave të Gazës do të jetojë nëpër shekuj.
Ebu Seid el-Hudrij, radijallahu anhu, transmeton se i Dërguari i Allahut (sal-lallahu alejhi ve sel-lem, ka thënë: “Asnjëri prej jush të mos e përulë vetveten!” Ata e pyetën: “O i Dërguari i Allahut, si mund ta përulë njeriu vetveten?” Ai u përgjigj: “Kur sheh një rast ku Allahu e ka urdhëruar të flasë, e ai hesht. Atëherë Allahu do t’i thotë në Ditën e Gjykimit: ‘Ç’të pengoi ta thuash të vërtetën?’ Ai do të përgjigjet: ‘Frika nga njerëzit.’ E Allahu do t’i thotë: ‘Unë kam më shumë të drejtë që të Më kesh frikë!’” (Ibn Maxhe)
Besimtari i sinqertë nuk i trembet vdekjes, por i trembet jetës së nënshtruar dhe pa nder. Sepse jeta pa dinjitet është më e rëndë se vdekja vetë. Besimtari që ka frikë Allahun nuk e shfaq guximin në kamera apo në rrjete sociale, por qëndron i palëkundur përballë padrejtësisë, me fjalën e tij, me qëndrimin e tij dhe me veprën e tij.
Mustafa er-Rifa’i ka thënë: “Kur një popull vdes nga frika, zullumqari sundon pa frikë, kurse tradhtia shitet me emrin ‘politikë’.”
Ai që nuk është gati të vdesë për diçka, nuk është i denjë të jetojë për asgjë.
Tregohet se një mbret i ri u pyet: “Si arrite ta kesh gjithë këtë që posedon?” Ai u përgjigj: “U çlirova nga një gjë, dhe fitova gjithçka – u çlirova nga frika, dhe më erdhi ajo që të tjerët e humbën.”
Dhe kur i thanë: “Por edhe ti do të vdesësh!”, ai u përgjigj: “Nuk do të vdes si frikacak që këtë vdekja ta dojë, por do të vdes si burrë trim që nuk i frikësohet vdekjes – dhe kështu do ta mund edhe vetë vdekjen.”
Po, vdekja nuk mund të shmanget, por mund të mposhtet – jo duke mos vdekur, por duke ditur si të vdiset.
Prandaj themi: Mos qofshin në rehati sytë e frikacakëve, as mos gjetshin qetësi e rehati ata që heshtin dhe shikojnë me gjakftohtësi, derisa kriminelët sionistë vrasin jetën në Gaza!
Le të zbresë Allah i Lartmadhëruar qetësi e forcë mbi zemrat e burrave dhe grave të Gazës, dhe le t’ua japë shehidëve të saj gradat më të larta në Xhenet!
O Allahu i Plotfuqishëm, na bëj prej atyre që nuk i frikësohen askujt përveç Teje!
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)






















