Shqipëri
Identifikohet i riu që u ekzekutua dhe u var/ FOTO-EMRI

Detaje tronditëse janë zbardhur rreth vdekjes së një shqiptari në Bruksel, trupi i të cilit u gjet i varur në një tabelë sinjalizimi rrugor. Autoritetet belge po hetojnë ngjarjen si një ekzekutim të mundshëm, i lidhur me prishjen e marrëdhënieve me grupet kriminale të trafikut të drogës.
Viktima është 29-vjeçari Bekim Halilaj, me origjinë nga fshati Bicaj i Kukësit. Trupi i tij u gjet më 28 shtator pranë qendrës tregtare “Westland Shopping”. Fillimisht, kalimtarët e rastit menduan se bëhej fjalë për dekorime festive, por më pas kuptuan se ishte një trup i pajetë, i lidhur me kabllo pas tabelës.
Pista e krimit të organizuar
Sipas grupit hetimor, mënyra e pazakontë se si u gjet trupi i viktimës ka ngjallur dyshime të forta se kemi të bëjmë me një vrasje të mirëfilltë, e cila i shërben si mesazh rivalëve të grupeve kriminale. Këtë fakt e konfirmoi edhe gazetari shqiptar Artan Hoxha, i cili në një intervistë për “Syri Tv” u shpreh se 29-vjeçari dyshohet se ishte pjesë e një grupi që merrej me trafikun e kokainës.
Sipas Hoxhës, vdekja e Halilajt mund të ketë ardhur si pasojë e humbjes së një ngarkese të madhe kokaine. Ai theksoi se Bekim Halilaj u rrëmbye, u ekzekutua dhe u var në kryeqytetin e Bashkimit Evropian jo vetëm si mesazh për kundërshtarët, por edhe si paralajmërim për çdo person që tenton të dëmtojë grupet kriminale.
I dënuar më parë për trafik droge në Britaninë e Madhe
Ngjarja bëhet edhe më e komplikuar duke pasur parasysh të kaluarën kriminale të viktimës. Bekim Halilaj nuk ishte një emër i panjohur për drejtësinë angleze. Në nëntor të vitit 2017, ai dhe tre shqiptarë të tjerë u dënuan me 24 vite burgim në total nga Gjykata e Southampton, pasi u shpallën fajtorë për shpërndarjen e kokainës me vlerë 4 milionë paund.
Në atë kohë, policia angleze deklaroi se shqiptarët jetonin në mënyrë të paligjshme në Britani dhe përdornin identitete false për të gjeneruar shuma të konsiderueshme parash të pista përmes tregtimit të drogës. Bekim Halilaj, asokohe 21 vjeç, ishte dënuar me shtatë vjet heqje lirie.

















