Religjion
Gjysmë të arsimuarit dhe gjysmë të devotshmit janë sëmundja e kohës sonë

Muhamed El-Gazali
Nuk ka asnjë dyshim se metodat e kota edukative, të cilave bota islame iu ekspozua gjatë shekujve të fundit, e kanë sjellë umetin në një gjendje të tillë që muslimanët nuk dinë më se ç’do të thotë vlera e vërtetë e burrërisë dhe e njerëzores. Edhe kur e ndiejnë sadopak kuptimin e saj, ata nuk janë të gatshëm ta përballojnë, nuk durojnë vështirësitë e saj dhe nuk e marrin mbi shpinë barrën që ajo kërkon.
Ndërkohë, në mjediset perëndimore ka një shumicë njerëzish që dinë se si ta kultivojnë një ideal të lartë, si t’i afrohen atij me hap vendimtar dhe me vullnet të çeliktë, dhe si të mos ligështohen as kur para tyre ngrihen pengesa të mëdha.
Shkaku i plogështisë që sot e ka rrënuar trupin e muslimanëve qëndron në keqkuptimin e fesë së tyre dhe në fantazitë e shumta me të cilat ata presin prej Zotit gjëra që s’kanë kurrfarë baze. Ai që fal disa rekate namaz, menjëherë e sheh veten ndër ata që kanë arritur cakun. Pas kësaj – sipas përfytyrimit të tij – koha duhet ta ndjekë me përulësi hapin e tij, ndërsa rrethanat duhet t’i dalin përballë, në vend që ai të shkojë drejt tyre.
Kështu, umeti pret fitoren me kalimin e ditëve e viteve, jo me begatinë e sakrificës dhe të guximit, por – sipas mendjes së tyre – me bekimin e namazit dhe të agjërimit që mjafton të kryhen formalisht. Por kjo është larg, tepër larg, derisa ta kuptojmë thelbin e fesë dhe natyrën e kësaj bote.
Midis mangësive shpirtërore dhe intelektuale
Ekzistojnë gjysmë të devotshëm ashtu siç ka edhe gjysmë të arsimuar. Mangësia e rëndë që u atribuohet të parëve nuk është aspak më e fshehtë tek të dytët. Është e domosdoshme t’i shërojmë këto mangësi sa të mundemi – përmes edukimit dhe arsimimit – duke pasur parasysh interesin e përgjithshëm shoqëror dhe duke e drejtuar atë kah përsosmëria e dëshiruar.
Më e dukshmja prej mangësive të gjysmë të arsimuarit është vetëbesimi i tepruar në ato pak dije që zotëron dhe nënvlerësimi i gjithçkaje që nuk di. Shikimi i tij mbi kulturën njerëzore është i ngushtë; nuk mundohet t’i zgjerojë horizontet e dijes, sepse mendon se ka mësuar dhe ka kuptuar çdo gjë të rëndësishme. Shpeshherë, këta njerëz kryejnë veprime injorantësh, pa u shqetësuar për kritikat që u drejtohen, sepse, sipas bindjes së tyre, ata janë “të arsimuar” dhe puna e tyre qëndron mbi çdo vërejtje.
Gjysmë të devotshmit ecin në të njëjtën rrugë të shtrembër. Ata bëjnë vepra që e lënë njeriun në një hutim të madh: e përmbushin në mënyrë të përkryer gjysmën e fesë së tyre, ndërsa nuk kanë aspak frikë nga Allahu për gjysmën tjetër. Për sigurinë që ndiejnë në madhështinë e veprave të tyre, mjafton të thuhet se njëri prej tyre fal disa rekate dhe menjëherë pret të fluturojë në ajër, ose që ligjet natyrore të ndryshohen për hir të tij.
Kur i rrotullon kokrrat e tespiut ulur në zyrë apo në dyqan, nuk e shqetëson fakti nëse punët e tjera shkojnë drejt shkatërrimit, as nëse gjithçka tjetër ecën sipas vrullit të pasioneve, rrëmujës dhe neglizhencës. Kur e lexon dhikrin e tij të përditshëm, pret që bereqeti i atij dhikri të zbresë mbi fëmijët e tij të lënë pas dore, në vend që ai bereqet të vijë përmes edukimit, përkujdesjes, përpjekjes dhe sakrificës.
Pastaj ai fle i qetë, duke pritur që, për shkak të devotshmërisë së vet, të shohë ëndrra të bukura e të vërteta. Ndërkaq, të tjerët i shikon nga lart, ua numëron mëkatet, i zmadhohen ato në sytë e tij dhe ua parathotë peshën e dënimit që i pret në botën tjetër.
Edhe kur i dëgjon dijetarët, ai e dëgjon vetëm atë që i pëlqen, ndërsa e refuzon çfarëdo fjale që është e hidhur për shijen e tij të prishur. Në sytë e tij, ata dijetarë nuk janë aspak më të mirë se ai; nëse ata e kanë tejkaluar me dije, ai mendon se i ka tejkaluar me vepra. E megjithatë, ndoshta nuk e vendos veten haptazi mbi ta, sepse me këtë kërkon të tregojë përulësinë e atyre që kanë frikë nga Allahu.
Gjysmë të devotshmit janë të ngjashëm me gjysmë të arsimuarit: janë të shumtë dhe shpesh paraqesin një të keqe që heshtazi tolerohet. Në luftën kundër injorancës së hapur, ne i pranojmë gjysmë të arsimuarit; në betejën kundër shthurjes së hapur, i pranojmë gjysmë të devotshmit.
Megjithatë, shpresojmë që vlerat e vërteta dhe faktet e pastra të mos e humbasin nën hijen e këtyre rrethanave të domosdoshme, e as që shëmtia e mangësisë morale dhe intelektuale të mos mbetet e mbuluar pas shenjave të rreme të devotshmërisë dhe të dijes.
Përshtati në shqip:
Miftar Ajdini
(Islampres)























