Connect with us

Lajme

Dy orë kokë më kokë, po pastaj?!

Publikuar

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u largua nga Shtëpia e Bardhë pas një takimi me dyer të mbyllura dhe një dreke pune me Presidentin e SHBA-së Donald Trump.

Zelensky gjithsej kaloi rreth dy orë e gjysmë në Shtëpinë e Bardhë.

Tema kryesore e takimit të Ukrainës me Donald Trump ishin ndoshta raketat Tomahawk. Kjo është një armë me një rreze shumë më të gjatë veprimi se çdo gjë që Ukraina zotëron aktualisht, gjë që ka ngritur shqetësime në Rusi.

Megjithatë, pas bisedës së Trump me Vladimir Putin dje, presidenti amerikan minimizoi mundësinë e dërgimit të Tomahawk-ëve në Ukrainë.

Zelensky tani ka deklaruar se nuk do ta diskutojë këtë në media.

“Sigurisht që diskutuam për armët me rreze të gjatë veprimi,” tha ai, duke shtuar: “Por nuk dua të bëj asnjë deklaratë për këtë.”

Ai shtoi se ata kishin rënë dakord të mos “flisnin për këtë sepse Shtetet e Bashkuara nuk duan përshkallëzim”.

“Kështu që kjo do të mbetet pa përgjigje, kërkoj ndjesë për këtë,” përfundoi Zelensky.

Pasi doli nga Shtëpia e Bardhë, Trump u drejtua për në pronën e tij private në Mar-a-Lago në Florida. Ai nuk iu drejtua gazetarëve të mbledhur që donin ta pyesnin për takimin me Zelensky-n, por bëri një deklaratë në Truth Social.

Ai tha se takimi me Presidentin ukrainas Volodymyr Zelensky ishte “shumë interesant dhe i përzemërt“. Ai shtoi se i tha Zelensky-t, siç i kishte thënë më parë Vladimir Putinit, se ishte “koha për të ndaluar vrasjet dhe për të bërë një marrëveshje”.

“Mjaft me gjakderdhjen. Duhet të ndalemi aty ku jemi. Le të shpallin të dy fitoren dhe le të vendosë historia! Mjaft me të shtëna, s’ka më vdekje, s’ka më kosto të mëdha dhe të paqëndrueshme. Kjo është një luftë që nuk do të kishte ndodhur kurrë nëse do të isha president”, shkroi Trump, duke shtuar:

“Mijëra njerëz po vriten çdo javë – mjaft, kthehuni në paqe te familjet tuaja!”. /tesheshi.com/

NA NDIQ NË FACEBOOK