Religjion
Dunjaja kalon, por njeriu nuk zhduket

Hasan el-Basriu ka thënë: “O njeri, po më pyet për këtë botë dhe për botën tjetër, ndërsa dallimi mes tyre është sikurse mes lindjes dhe perëndimit: sa i afrohesh njërës, aq i largohesh tjetrës. Po më kërkon ta përshkruaj këtë botë, por ç’kam të të përshkruaj kur fillimi i saj është mundim, kurse fundi i saj është zhdukje.” Zhdukja është për dunjanë, por jo edhe për njeriun. I Dërguari i Allahut (paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të) ka thënë: “Më erdhi Xhibrili dhe më tha: ‘O Muhamed, jeto si të duash, por dije se do të vdesësh. Duaje kë të duash, por dije se do të ndahesh prej tij. Vepro çfarë të duash, por dije se do të japësh llogari, dhe sipas asaj që ke bërë do të shpërblehesh ose do të ndëshkohesh.’” (Muslimi)
Njeriu është i pajisur me liri dhe i nderuar me zgjedhje të lirë. Ai mund të jetojë si të dëshirojë. Allahu i Madhërishëm thotë: “Dhe thuaj: “E vërteta është nga Zoti juaj. Kush të dojë, le të besojë e kush të dojë, le të mohojë.” (el-Kehf, 29) Cilëndo zgjedhje që ta bëjë njeriu, me pasojat e saj do të përballet. Allahu i Lartësuar thotë: “Kush dëshiron mirësitë e kësaj bote, Ne do t’i japim atij prej saj, ndërsa kush dëshiron shpërblimin e botës tjetër, Ne do t’i japim atij prej saj. Ne do t’i shpërblejmë mirënjohësit.” (Alu Imran, 145) Në fe nuk ka detyrim. Njeriu që dëshiron qetësi në këtë botë dhe shpëtim në botën tjetër, zgjedh të jetojë si besimtar, sepse e di se mëshira e Allahut në botën tjetër është vetëm për besimtarët.
Njeriu i pajisur me liri dhe i nderuar me zgjedhje të lirë, mund të dojë çfarë dhe kë të dojë. Nuk është e ndaluar t’i duash të mirat e kësaj bote, përderisa ato nuk të largojnë nga Rruga e drejtë, nga dashuria për Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Allahu i Madhëruar na mëson sesi të mos na largojë dashuria për këtë botë nga dashuria për të përjetshmen: “Thuaju (o Muhamed): ”Nëse ju e doni Allahun, atëherë më ndiqni mua, që Allahu do t’ju dojë dhe do t’jua falë gjynahet!” (Alu Imran, 31) Ndiqe atë, jeta e të cilit ishte Kurani. Ai (paqja e Allahut qoftë mbi të) ka përfituar nga të mirat e kësaj bote, por pa mëkatuar, pa e tepruar dhe pa e hidhëruar Zotin e vet. Ai është shembulli ynë. Dhe ne dimë se një grupi sahabësh ua ndaloi teprimin në mohimin e të mirave të dunjasë për hir të dashurisë më të madhe për Allahun. Vetëdija se gjithçka nga të mirat e kësaj bote do t’i lëmë pas, na udhëzon t’i shfrytëzojmë ato, pa mëkatuar.
Njeriu i pajisur me liri dhe i nderuar me zgjedhje të lirë, mund të veprojë çfarë të dojë. Xhibrili i tha të Dërguarit (savs): “Vepro çfarë të duash, por do të japësh llogari.” Vetëdija, besimi dhe bindja se për çdo hap, për çdo fjalë, për çdo mendim do të japim llogari, duhet të jenë nxitje për të bërë vepra të mira. Sepse ti, o njeri, sipas asaj që ke bërë do të shpërblehesh ose do të ndëshkohesh. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Kush bën ndonjë të mirë sa grimca, atë do ta shohë. Dhe kush bën ndonjë të keqe sa grimca, atë do ta shohë.” (ez-Zilzal, 7-8) “O Hasan, na i përshkruaj të dy botët,” i thanë. Ai tha: “Ato ndryshojnë, dhe sa më shumë i afrohesh njërës, aq më shumë i largohesh tjetrës.” Që nga dita që erdhëm në këtë botë, me çdo hap, me çdo ditë që kalon, jemi më afër botës tjetër. Në këtë botë kemi ardhur me dhimbjet e lindjes (së nënës) dhe kemi qarë.
“O njeri”, këshillon Hasan el-Basriu, “Ke mundësinë të largohesh prej kësaj bote i gëzuar, i buzëqeshur. Përpiqu, bëj gjithçka mundesh, shfrytëzoje këtë botë për këtë qëllim, që kur të tjerët rreth teje, të afërmit e tu, të qajnë, ti të largohesh duke buzëqeshur.” Ti, o njeri, mund të jetosh si të duash, mund të duash kë të duash, mund të veprosh çfarë të duash, por takimin me Zotin e botëve nuk mund ta shmangësh. Prandaj dëgjoji këto fjalë hyjnore të thëna në një hadith kudsij: “I krijova robërit e Mi të pastër, por erdhën shejtanët dhe i larguan nga besimi, duke ua paraqitur të ndaluarën si të lejuar.”
Allahu i Lartësuar na paralajmëron: “Ata që nuk besojnë, janë të joshur nga jeta e kësaj bote, prandaj tallen me besimtarët. Por njerëzit që i frikësohen Allahut, do të jenë mbi ata – në Ditën e Kiametit. Allahu begaton pa kufi kë të dojë.” (Bekare, 212) “Burrave u është hijeshuar dashuria për gjërat e dëshiruara: për gratë, fëmijët, arin dhe argjendin e grumbulluar, kuajt e bukur, bagëtitë dhe arat e lëruara. Këto janë kënaqësitë e kësaj jete, por shumë më i mirë është kthimi tek Allahu.” (Alu Imran, 14)
Asgjë nga këto të numëruarat nuk është e ndaluar, të gjitha ato janë të bukura. Por rreziku qëndron kur njeriu lejon që dashuria për të përkohshmen të mbisundojë, dhe atëherë, ashtu siç erdhi duke qarë, edhe të largohet nga kjo botë duke qarë.
O Allahu i Lartësuar, na ndihmo! Amin.
Hatib: Izet ef. Čamdžić
Përshtati në shqip: Miftar Ajdini
(Islampress)























