Lajme
Diaspora Strugane në Zvicër i kërkon Arsim Dalipit të mbajë fjalën dhe të tërhiqet nga gara për Strugën

Zvicër, tetor 2025 – Diaspora Strugane që jeton dhe vepron në Zvicër ka dalë me një kumtesë publike pas përfundimit të raundit të parë të zgjedhjeve lokale në Komunën e Strugës, duke kërkuar nga kandidati i AKI-së, dr. Arsim Dalipi, që të tërhiqet nga gara për kryetar komune.
Në reagimin e tyre, përfaqësues të diasporës theksojnë se kanë mbështetur fuqishëm kandidaturën e pavarur të Mendi Qyrës, të cilin e konsiderojnë si “përfaqësues të qytetarit të lirë, pa ndikime partiake dhe me vizion të qartë për zhvillimin e Strugës”.
Diaspora i kujton Dalipit një deklaratë të tij gjatë fushatës zgjedhore, ku ai kishte premtuar publikisht se “kandidati që do të marrë një votë më pak duhet të tërhiqet nga gara”. Duke u bazuar në rezultatet e raundit të parë, diaspora i bën thirrje që të mbajë fjalën dhe të japë dorëheqje nga gara, siç e kishte premtuar para qytetarëve.
“Ky akt do të ishte një gjest dinjiteti dhe respekti ndaj qytetarëve të Strugës, si dhe një shembull moral për politikën vendore,” – thuhet në kumtesë.
Në fund të reagimit, Diaspora Strugane në Zvicër apelon që Dalipi të mos bie pre e presioneve politike dhe të dëshmojë se fjala e dhënë ka peshë e vlerë, duke theksuar se “dorëheqja do t’i bënte nder personalisht dhe do të mbronte integritetin e garës demokratike”.
















