Connect with us

Lajme

Bexheti nga Gllumova: 19 Tetori është referendumi i shpresës dhe i besimit për të ardhmen tonë

Publikuar

Deputeti Blerim Bexheti, i shoqëruar nga kandidati për kryetar komune Blerant Ramadani, zhvilloi një takim me banorët e Gllumovës, vendlindjen e tij, ku u prit me entuziazëm dhe pjesëmarrje të madhe.

Në fjalën e tij, Bexheti u shpreh i emocionuar për lidhjen shpirtërore me vendin ku ka rrënjët, duke theksuar se mbrëmja e sotme dëshmoi bashkimin dhe përkushtimin e banorëve për të ardhmen e përbashkët.

“Sonte ishim në Gllumovë, në vendin ku kam rrënjët, në tokën ku çdo gur, çdo rrugicë dhe çdo fytyrë të kujton përkushtimin, punën dhe dashurinë për vendlindjen. Në këtë vend u ndjeva më shumë se kurrë i motivuar, sepse mbrëmja e sotme tregoi se zemra e Gllumovës rreh fort për këtë vend,” u shpreh deputeti.

Në këtë ngjarje ishin të pranishëm edhe kryetari aktual dhe bartësi i listës për këshilltarë Iljas Veseli, kandidati për Qytetin e Shkupit Skender Rexhepi – Zejd, bartësi i listës për Qytetin e Shkupit Abdulselam Selami, kandidatja për këshilltare Nezrane Rustemi dhe deputeti i zonës Ilir Hasani.

Bexheti theksoi se 19 Tetori nuk është thjesht një datë zgjedhjesh, por një moment vendimtar për besimin dhe dinjitetin e qytetarëve.

“19 Tetori nuk është vetëm një datë zgjedhjesh, është referendumi i shpresës, i dinjitetit dhe i besimit për të ardhmen tonë të përbashkët,” deklaroi ai, duke shtuar se Gllumova edhe njëherë tregoi se di të zgjedhë drejt– aty ku është e vërteta, është edhe fitorja.

Në fund, Bexheti falënderoi banorët e Gllumovës për mikpritjen dhe mbështetjen e ngrohtë, duke theksuar se motivimi për të vazhduar punën për zhvillimin e vendit është më i fortë se kurrë.

NA NDIQ NË FACEBOOK