Shqipëri
Begaj dekretoi datën e re të zgjedhjeve, shpërthen Veliaj: Është një …

Ish-kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ka reaguar nga burgu pas dekretit të presidentit Bajram Begaj, i cili shpalli datën 9 nëntor për zhvillimin e zgjedhjeve të pjesshme në gjashtë bashki të vendit, përfshirë Tiranën. Në një deklaratë të fortë, Veliaj e cilësoi dekretin presidencial si “contra Constitutionem” (antikushtetues) dhe kërkon shfuqizimin e tij nga Gjykata Kushtetuese.Veliaj argumenton se mandati i një kryetari bashkie nuk është një mandat personal, por një shprehje e sovranitetit të qytetarëve, dhe për këtë arsye, ndërprerja e tij duhet të jetë në përputhje me Kushtetutën.
Argumenti ligjor i ish-kryebashkiakut
Në ankimimin e tij drejtuar Gjykatës Kushtetuese, Veliaj ngre një argument ligjor specifik. Ai pretendon se presidenti i Republikës ka shkelur garancitë kushtetuese pasi dekretoi datën e zgjedhjeve ndërkohë që vendimi i Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij është ende i ankimuar.
Veliaj thekson se sipas ligjit, vendimi i shkarkimit pezullohet në momentin që ankimohet brenda 15 ditësh në Gjykatën Kushtetuese. Për këtë arsye, presidenti mund të caktojë datën e zgjedhjeve vetëm në rastin e mosushtrimit të së drejtës së ankimit, ose pasi vendimi i shkarkimit të jetë lënë në fuqi nga vetë Gjykata Kushtetuese.
Duke iu referuar kësaj pike, Veliaj ka paraqitur me urgjencë një shtesë në kërkesën e tij të depozituar më parë, me qëllim që Gjykata Kushtetuese të shqyrtojë dhe të anulojë dekretin presidencial për Tiranën, duke mbrojtur, siç shprehet ai, “demokracinë përfaqësuese”.
Reagimet politike
Lëvizja e Veliajt vjen një ditë pasi Presidenti Begaj dekretoi zyrtarisht datën e zgjedhjeve të pjesshme. Edhe nga ana e opozitës, pati reagime të ashpra. Deputetët e Partisë Demokratike në Komisionin e Ligjeve deklaruan se dekreti presidencial është i paligjshëm dhe se nuk ka vend për nxitim në caktimin e një date të tillë.
Me veprimin e Veliajt, debati politik për zgjedhjet në Tiranë kalon tashmë në duart e drejtësisë, ku Gjykata Kushtetuese do të ketë fjalën e fundit mbi vlefshmërinë e dekretit presidencial.
















