Connect with us

Lajme

Bajram Rexhepi mohon se ka pasur takim me kandidaten e Levicës: Tendencioze dhe me prapavijë propagandistike

Publikuar

Kandidati i AKI-së për Tetovën, Bajram Rexhepi, ka reaguar pas publikimit të disa fotografive që po qarkullojnë në rrjete sociale, të cilat, sipas tij, janë interpretuar në mënyrë të pavërtetë nga mediat.

Në reagimin e tij, Rexhepi thekson se fotografitë që lidhen me një takim elektoral “janë plotësisht të pavërteta, dashakeqe dhe me prapavijë të qartë propagandistike”.

“Bëhet fjalë për një aktivitet të rregullt elektoral, ku unë, bashkë me bashkëshorten dhe aktiviste të Forumit të Gruas të AKI-së, morëm pjesë në një takim promovues me gra intelektuale, në kuadër të prezantimit të programit tonë zgjedhor,” ka sqaruar Rexhepi.

Ai ka theksuar se në aktivitet kanë marrë pjesë shumë gra dhe qytetare të Tetovës, ndërsa ka mohuar kategorikisht pretendimet se në takim ka qenë e pranishme kandidatja e partisë Levica.

“Në asnjë moment nuk është zhvilluar ndonjë takim me struktura të caktuara partiake apo jashtë natyrës publike të ngjarjes. Takimi ka qenë plotësisht publik, i mbajtur në një kafene në qendër të qytetit,” shtoi ai.

Sipas Rexhepit, përpjekjet për t’i dhënë këtij takimi “ngjyrime apo konotacione të tjera” janë të pabazuara dhe të neveritshme, ndërsa “tregojnë më shumë për mendësinë e porositësve të kësaj propagande të ulët sesa për vetë ngjarjen”.

Në fund të reagimit, ai theksoi se koalicioni që ai përfaqëson “ka qenë që nga fillimi me qytetarët dhe për qytetarët”, duke shtuar se “më 2 nëntor në Tetovë do të fitojë vota e lirë dhe e ndershme, dhe Tetova do të marrë më në fund frymë lirshëm”.