Shqipëri
Arrestohet autori i vrasjes në Tiranë, e bëra sepse…

Detaje të reja janë zbardhur nga ngjarja tragjike e ndodhur mbrëmë në kryeqytet, ku një 40-vjeçar humbi jetën si pasojë e një sulmi me thikë. Sipas burimeve policore, autori dhe viktima ishin miq me njëri-tjetrin dhe sherri që çoi në vrasje dyshohet të ketë nisur për shkak të një fyerjeje.
Viktima, Hajdar Ismajlgeci (40 vjeç) kishte rreth 10 ditë që qëndronte në banesën e mikut të tij, Arlind Demushi (38 vjeç), në zonën e Babrrusë në Tiranë.
Mbrëmjen e djeshme, të dy miqtë kishin dalë në një lokal, ku kishin konsumuar alkool. Sipas pretendimeve të autorit, shkaku i debatit ka qenë një fyerje që viktima i ka bërë nga gruaja, çka ka ndezur një sherr mes tyre.
Pasi u larguan nga lokali, debati ka rifilluar në rrugë, duke u përshkallëzuar në një përleshje fizike. Në këto momente, Arlind Demushi dyshohet se ka nxjerrë një thikë dhe e ka goditur disa herë mikun e tij, duke e lënë të vdekur në vend.
Pas kryerjes së krimit, Demushi është larguar menjëherë nga vendi i ngjarjes. Ai u nis drejt qytetit të Durrësit, ku u kap shpejt nga Forcat Operacionale të Policisë.
Hetimet për zbardhjen e plotë të ngjarjes po vazhdojnë, ndërsa autori pritet të përballet me drejtësinë për veprën e rëndë penale.
















