Lajme
Zv/drejtori i Doganave Mustafa Dauti: Shpifjet nuk kalojnë, shqiptarët sot kanë vulën dhe dinjitetin

Zëvendësdrejtori i Doganave, Mustafa Dauti, ka reaguar ndaj akuzave të fundit, duke i cilësuar si shpifje dhe ofendime të pabaza. Ai tha se institucionet nuk menaxhohen me banalitet, por me dije dhe guxim.
“Merruni ju me shpifje dhe ofendime, ne merremi me punë konkrete dhe me fakte. Mos harroni se edhe ne dijmë të përdorim gjuhën tuaj ofenduese, por nuk e kemi zgjedhur atë mënyrë komunikimi, sepse përfaqësojmë shqiptarët me dinjitet dhe vendosshmëri. Vula e Doganës është në dy gjuhë, ndërsa vula e dështimit tuaj do të mbetet gjatë në ballin tuaj”, theksoi Dauti.
Ai shtoi se problemi i kundërshtarëve politikë nuk është gjuha në vula, por fakti që sot ato janë në duar të shqiptarëve. Sipas tij, në të kaluarën posti i zëvendësdrejtorit të Doganave është kujtuar për presione dhe kontrolle ndaj shqiptarëve, shpesh edhe nga vetë shqiptarë, por kjo periudhë i përket së kaluarës.
“Që nga dita që kam marrë këtë detyrë, nuk ka pasur asnjë rast diskriminimi apo presioni ndaj të punësuarve në Doganë. Ky është ndryshimi në vepër, jo vetëm në fjalë”, tha ai.
Dauti akuzoi kundërshtarët se shpifin, ndërsa ai i demanton me fakte, duke shtuar se shqiptarët sot kanë vulën, firmën dhe dinjitetin në duart e tyre. Ai paralajmëroi gjithashtu se opozita do të duhet të mësohet me rolin e ri, pasi populli i ka ndëshkuar për dy dekada keqqeverisjeje.
















