Lajme
Zjarri shkakton kaos në aeroport, preken edhe fluturimet për Tiranë e Prishtinë

Aeroporti i Stansteadit në Londër u përball me kaos dhe vonesa të shumta sot në mëngjes, pasi një zjarr që ra gjatë natës në ambientet e terminalit çoi në evakuimin e mijëra pasagjerëve dhe pezullimin e përkohshëm të fluturimeve.
Pavarësisht se zjarri u shua shpejt, shërbimet thelbësore të sigurisë dhe sistemet e transportit publik u ndërprenë. Kontrollet e sigurisë dhe shërbimi i trenave që lidhin aeroportin me qytetin ishin jashtë funksionit në orët e para të ditës, duke shtuar vështirësitë për pasagjerët.
Aeroporti, i cili ndodhet rreth 50 km në verilindje të Londrës, është mbushur me udhëtarë të cilët presin të nisin fluturimet e tyre. Për këtë arsye, autoritetet i kanë bërë thirrje pasagjerëve të kontrollojnë statusin e fluturimeve të tyre me kompanitë ajrore përpara se të nisen drejt aeroportit, si dhe të planifikojnë më shumë kohë se zakonisht për shkak të situatës së tensionuar.
Aeroporti i Stansteadit është një pikë kyçe nisjeje për shumë fluturime, përfshirë ato të linjës ajrore low-cost Ryanair drejt Tiranës dhe Prishtinës. Për momentin, po bëhen përpjekje për të kthyer funksionimin në normalitet sa më shpejt të jetë e mundur.



















