Shqipëri
Zgjedhjet për Bashkinë, zbulohen tre emrat e PD për Tiranën

TIRANË — Analisti Denis Dyrnjaja ka komentuar zgjedhjet e parakohshme për Bashkinë e Tiranës, duke ofruar një këndvështrim kritik mbi kandidatët e mundshëm të Partisë Demokratike. Sipas tij, emrat që janë përmendur më shpesh, si Jorida Tabaku dhe Ilir Alimehmeti, nuk janë zgjedhja e duhur për t’u përballur me kandidaten e Partisë Socialiste, Ogerta Manastirliu.
Dyrnjaja shprehet se Jorida Tabaku vuan nga “sindroma e së vërtetës së heshtur”, çka e bën të rezervuar dhe të paqartë para publikut. “Mbështetja që ka brenda PD-së është rezultat i një vote të orientuar. Kjo e bën të mbyllur dhe nervoze, sepse di më shumë sesa thotë publikisht. Në kushte të tilla, ajo shmang garën e hapur. Nuk e shoh si kandidate serioze për Tiranën,” theksoi analisti.
Ai shtoi se edhe Ilir Alimehmeti, i cili tashmë ka refuzuar kandidimin, ka qenë viktimë e të njëjtit sistem votimi të orientuar brenda partisë.
Në vend të tyre, Dyrnjaja sugjeroi tre figura të tjera që sipas tij kanë peshë politike dhe mbështetje reale në elektorat: Albana Vokshi, Edi Paloka dhe Flamur Noka. “Këta janë politikanë me peshë reale, ndryshe nga të tjerët që spikasin vetëm sepse niveli i përgjithshëm është i dobët. Nuk kuptoj pse nuk hyjnë në garë, ndërkohë që vetë e pranojnë se kundërshtari ka probleme. Këta emra kanë vota dhe mund të jenë kandidatura të forta përballë Manastirliut,” përfundoi ai.
















