Bota
Zbulohet pse 22-vjeçari vrau aktivistin Charlie Kirk

Guvernatori i Utah-it, Spencer Cox, ka dhënë detaje të reja për autorin e dyshuar të vrasjes së Charlie Kirk, 22-vjeçarin Tyler James Robinson. Në një konferencë për shtyp më 12 shtator, Cox tha se hetuesit kanë siguruar dëshmi të drejtpërdrejta nga familjarët e Robinson, që hedhin dritë mbi motivet e tij.
Sipas guvernatorit, gjatë një darke familjare disa ditë para ngjarjes, Robinson kishte folur hapur për ardhjen e Kirk në Universitetin e Utah Valley dhe e kishte përshkruar atë si “një njeri i mbushur me urrejtje dhe përhapës i urrejtjes”.
Cox konfirmoi gjithashtu se Robinson nuk kishte precedentë penalë, por sipas të afërmve ishte bërë më politik vitet e fundit dhe kishte shfaqur qëndrime të forta kundër Kirk-ut.
Hetuesit kanë gjetur edhe kapsula plumbash me shkrime provokuese dhe mesazhe të publikuara prej tij në platformën Discord, ku përmendej arma dhe plani i sulmit.
22-vjeçari u arrestua pas informacioneve që një familjar i dha një miku të ngushtë, i cili kontaktoi policinë. Përputhja e të dhënave me pamjet e siguruara nga kamerat e sigurisë bëri të mundur ndalimin e tij.
Guvernatori tha se ky detaj për Kirk-un si “plot urrejtje” ndihmoi hetuesit të kuptonin më qartë gjendjen mendore dhe motivimin e të dyshuarit.
Ky rrëfim i ri nga guvernatori i Utah-it po shihet si një pikë kthese në hetim, pasi zbardh më shumë rreth motiveve dhe profilit të të dyshuarit për një nga vrasjet më të bujshme politike të viteve të fundit në SHBA.
















