Connect with us

Lajme

Vrau 2 persona dhe plagosi dy të tjerë, kush është autori i ngjarjes së rëndë në Shkodër!

Publikuar

më

Ragip Gila, autori i dyshuar i ngjarjes së rëndë në Shkodër me dy viktima dhe dy të plagosur, është person me precedentë penalë.

28-vjeçari është arrestuar në 6 Dhjetor 2023, pasi në banesën e tij në lagjen Partizani në Shkodër iu gjet arsenal armësh që dyshohet se do të përdoreshin nga grupe kriminale, për të kryer krime kundër personit dhe pronës.

Gjatë operacionit “Imazhi fals” u sekuestruan 7 jelekë antiplumb, 2 palë doreza, 3 maska, 2 paruke, municion luftarak, 1 kokore metalike, 1 armë gjahu dhe sende të tjera të kundërligjshme, si dhe sasi lënde të dyshuar narkotike kanabis.

Në atë kohë, blutë arrestuan në flagrancë Ragip Gilën, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit” dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve të gjuetisë dhe sportive”.

Ndërkohë në ngjarjen e rëndë në Shkodër u vranë me automatik Armando Pali, punonjës i IKMT-së dhe Liridon Kraja (Lushi), ndërsa mbetën të plagosur Erogen Vaso (Brajoviç), i cili ndodhej në tavolinë me viktimat, si edhe kamarierja në lokal Meri Kaceri.

Ngjarja ndodhi rreth orës 08:50, në lagjen “Qemal Stafa”, në ambientet e jashtme të një lokali.

NA NDIQ NË FACEBOOK