Shqipëri
Vrasësi i biznesmenit, nipi i njeriut të afërt të Edi Ramës

TEPELENË — Zbardhen detaje të reja rreth vrasjes së biznesmenit italian Edoardo Sarchi, i cili u ekzekutua pas mesnate në fshatin Salari të Tepelenës. Shoferi i viktimës ka dëshmuar para uniformave blu, duke identifikuar autorin e dyshuar të krimit si Gazmend Braçe.
Sipas dëshmisë, Braçe u ka dalë papritur përpara makinës ku udhëtonin Sarchi dhe disa persona të tjerë. Ai ka ngritur dorën për t’i ndaluar dhe më pas ka hapur zjarr me një automatik, duke qëlluar shtetasin italian. Pas dëshmisë, policia ka ngritur postblloqe të shumta në zonë për të bërë të mundur kapjen e Gazmend Braçes.
E kaluara kriminale dhe lidhjet e autorit të dyshuar
Gazmend Braçe, djali i Eqerem Braçes dhe nipi i ish-deputetit Gramoz Ruçi, nuk është një emër i panjohur për policinë. Në vitin 2019, ai u arrestua pasi i mori armën një oficeri policie dhe plagosi me të Aleksandër Zhapajn brenda ambienteve të Spitalit të Fierit.
Ngjarja e vitit 2019 nisi me një konflikt banal në një lokal në Levan, i cili shkallëzoi shpejt. Gazmend Braçe, në atë kohë 22 vjeç, ishte përfshirë në një sherr me disa persona, mes tyre edhe Donian Zhapaj. Sherri verbal u kthye në përplasje me sende të forta dhe më pas me armë, duke u zhvendosur brenda ambienteve të spitalit ku palët po shoqëronin të plagosurit e sherrit të parë. Gjatë kësaj përplasjeje, Braçe mori armën e një punonjësi policie, Arjan Memaj, dhe qëlloi, duke plagosur rëndë Aleksandër Zhapajn.
Braçe akuzohej për veprat penale “Vrasje me dashje e mbetur në tentativë” dhe “Goditje për shkak të detyrës”.
Lidhjet me politikën lokale
Gazmend Braçe dyshohet se ka lidhje të forta me figurat politike lokale. Sipas burimeve jozyrtare, firma të lidhura me babanë e tij, Eqerem Braçen, kanë përfituar rregullisht tenderë nga Bashkia e Tepelenës, veçanërisht gjatë kohës që kryetar ishte Tërmet Peçi, një personazh i konsideruar si “aleat i ngushtë” i familjes Braçe.
Këto detaje mbi të kaluarën kriminale dhe lidhjet familjare dhe politike hedhin dritë mbi rrezikshmërinë e autorit të dyshuar dhe kompleksitetin e krimit të ndodhur në Tepelenë.















